Kombëtarja U21 e Kosovës ka vijuar me seancat stërvitore në prag të sfidës kualifikuese përballë Anglisë më 9 shtator, raporton Gazatasheshi.com.

Amtmosfera në kampin e Rafet Prekazit është e mrekullueshme, teksa të gjithë futbollistët u janë përgjigjur ftesës.

Njëri ndër emrat që ka spikatur me prezencën e tij ishte edhe Arton Zekaj, futbollisti i cili luan në Lille të Francës.

Ai e kishte braktisur Serbinë për ta veshur fanellën e Kosovës.

Në prag të sfidës me Anglinë ai është shprehur optimist dhe beson se mund të dalin me rezultat pozitiv.

“Jam krenar që do ta përfaqësojë Kosovën dhe ndihem shumë mirë me këtë grup të futbollistëve. Stërvitja kaloi shumë mirë dhe besoj se gjatë ditëve në vazhdim do ta njohim edhe më mirë lojën e njëri – tjetrit, dhe kundër Anglisë do të paraqitemi sa më mirë. Normalisht se përballja me anglezët është një sfidë e vështirë, pasi kemi të bëjmë me njërën prej ekipeve më të forta në botë, mirëpo në çdo ndeshje do të hyjmë për fitore”, deklaroi Zekaj për faqen zyrtare të FFK-së.

Share.