Komuna e Malishevës është duke vazhduar me asfaltimin e rrugëve në fshatrat e saj. Në kuadër të asfaltimit të rrugëve, sot në fshatin Banjë ka përfunduar asfaltimi i 1100 metrave, në katër rrugë. Asfaltimin e rrugëve e kanë parë nga afër edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi dhe drejtori për urbanizëm, Avdi Morina, të cilët janë takuar edhe me banorët.
“Ne jemi zotuar se do të bëjmë maksimumin e mundshëm për realizimin e projekteve të planifikuara, sidomos në infrastrukturën rrugore. Përkundër vështirësive që po përballen operatorët për shkak të krizës së përgjithshme dhe ndryshimeve në çmime, jemi duke i asfaltuar rrugët e nisura, sepse këtë e kemi premtuar, që qytetarët tanë të kenë kushte më të mira dhe lehtësi në lëvizje”, ka thënë nënkryetari Krasniqi.
Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Avdi Morina, ka njoftuar se punimet janë zhvilluar sipas dinamikës së paraparë dhe kanë përfunduar punimet në asfaltimin e rrugëve, në lagjen Begaj, Sukaj, Limaj dhe një rrugë me e gjatë që lidhë lagjen Binish me lagjet Gashi, Elshani e Buzhala, të gjitha me një gjatësi prej 1 100 metra dhe janë mundësuar nga buxheti i komunës së Malishevës./TV Malisheva