Në kuadër të rregullimit të infrastrukturës rrugore në vendbanimet e Komunës së Malishevës dhe në kuadër të realizimit të projekteve kapitale, krahas investimeve në vendbanimet tjera, kanë filluar dhe po asfaltohen edhe 12 rrugë në fshatin Drenoc.
Për të parë nga afër asfaltimin e rrugëve, sot këtë fshat e kanë vizituar nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Milazim Morina.
“Ju banorë të Drenocit, t’i gëzoni këto rrugë. Ne si komunë jemi duke bërë përpjekje, që në të gjitha vendbanimet, sikur sot në fshatin tuaj, t’i plotësojmë kërkesat dhe nevojat që ju keni, sidomos në rregullimin e infrastrukturës”, ka thënë nënkryetari Berisha, gjatë takimit me banorët në ato lagje ku po asfaltohen rrugët.
“Ne po bëjmë përpjekje që brenda mundësive të investojmë, mirëpo ajo që na gëzon më së shumti, është fakti që ne tashmë po asfaltojmë rrugë të shkurtëra brenda lagjeve, pasi rrugët kryesore dhe rrugët e lagjeve janë të përfunduara pothuajse në të gjithë territorin e komunës sonë”, ka thënë Berisha.
Përndryshe, këto rrugë në Drenoc dhe shumë tjera në fshatrat e Komunës së Malishevës, janë duke u asfaltuar nga buxheti i komunës./TV Malisheva