Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar të dhënat e Bruto Produktit Vendor (BPV) për tremujorin e tretë (TM3) të vitit 2021, sipas të cilave BPV në TM3 të këtij viti ka shënuar rritje reale për 14.53 përqind, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak. Ndërkohë që nga aktivitetet që kanë shënuar rënie reale në këtë tremujor ishte ndërtimtaria.
Aktivitetet ekonomike, që kishin rritje në këtë tremujor ishin: tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, transporti dhe magazinimi, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor (35.30 përqind); aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse (10.90 përqind); artet, argëtimi dhe çlodhja, aktivitetet e prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbime të tjera (7.43 përqind); aktivitetet financiare dhe të sigurimit (5.83 përqind); informacioni dhe komunikimi (4.25 përqind); industria nxjerrëse dhe përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit (3.62 përqind); bujqësia, pyjet dhe peshkimi (2.03%); administrata publike, sigurimi social, arsimi dhe shëndetësia (1.53 përqind); aktivitetet e pasurive të paluajtshme (1.40 përqind).
Aktiviteti ekonomik, që shënoi rënie reale në këtë tremujor ishte: Ndërtimtaria (-4.12 përqind); ndërsa, rritja nominale për këtë aktivitet ishte 19.07 përqind, i ndikuar nga inflacioni.
Komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve, që kishin rritje ishin: eksporti i mallrave dhe shërbimeve (147.42 përqind); importi i mallrave dhe shërbimeve (44.39 përqind); shpenzimet e konsumit final (1.84 përqind); dhe Formimi i bruto kapitalit (0.14 përqind).
ASK ka bërë të ditur se të dhënat e BPV janë nxjerrë sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve, me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak./TV Malisheva