“E di që askush nuk do ta besojë, por ata nuk deshën t’i heqin, vendosmëria ishte më e madhe se kurrë, të gjitha forcat nuk ishin as afër të mjaftueshme për t’i thyer barrikadat, ishin gati për të dalë kundër. Bëra gjithçka që munda për të ruajtur paqen”, citohet të ketë deklaruar presidenti serb.
Ai po ashtu është krenuar për unitetin që tha se e kanë me popullin serb në Kosovë.
“Unë po pyes se çfarë ka bërë Serbia. Ne nuk kemi bërë asgjë dhe përsëri është faji ynë”, theksoi Vuçiq.
Ndërkaq lidhur me deklaratën e analistit Shkelzen Maliqi se “Vuçiq nuk është në gjendje të organizojë barrikada të vërteta dhe të aktivizojë grupe të armatosura paraushtarake për të bërë presion në Kosovë, prandaj organizon rebelime jetëshkurtra”, Vuçiq tha se ai nuk ka organizuar asgjë, por vetë njerëzit.
I pari i shtetit serb foli edhe për takimin me përfaqësuesit e Prishtinës në Bruksel që pritet të mbahet më 18 gusht, për çka tha se nuk pret asgjë nga ai takim, pasi sipas tij, nuk di asgjë që mund të diskutohet me Kurtin.
“Do të shkoj në Bruksel, nuk është e vështirë për mua, nuk pres asgjë, kush mendon se është e mundur të ruhet paqja me Kurtin, mendoj se e kanë shumë gabim, e di me kë kam të bëj”, tha Vuçiq, shkruan Rts.
/TV Malisheva