Për herë të parë që nga qershori, Australia sot nuk ka raportuar asnjë rast të ri me koronavirus.
Ministri Federal i Shëndetësisë, Greg Hunt, njoftoi se për herë të parë në vend, që nga 9 qershori, nuk është regjistruar asnjë rast me COVID-19, sipas rezultateve të testeve në 24 orët e fundit nga shtetet dhe rajonet e vendit.
“Sot kemi zero raste të infektimit në komunitet në gjithë Australinë. Faleminderit shërbimit tonë të mrekullueshëm shëndetësor, punonjësve tanë të shëndetit publik dhe, mbi të gjitha, popullit të Australisë”, postoi Hunt në llogarinë e tij në Twitter, duke lavdëruar luftën kundër virusit në vendin e tij.
Në fund të muajit mars, Australia kishte mbyllur kufijtë për shtetasit e huaj, përveç atyre me leje të përhershme banimi.
Vendi deri më tani ka regjistruar 907 të vdekur si pasojë e koronavirusit.
Që nga shfaqja e rastit të parë më 25 janar, në Australi janë infektuar gjithsej 27 596 persona deri më tani, kurse 25 098 janë shëruar.
Në vend aktualisht ka 198 raste aktive, prej të cilëve 17 po trajtohen në spitale. /ATSH-AA