Frikën dhe dilemën e kahershme shoqërore dhe politike, se me pranimin e Asociacionit do të krijohet një “shtet” brenda shtetit të Kosovës, e ka pasqyruar dje në një intervistë për REL edhe David Kanin, profesor për Studime Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në SHBA.

Sipas analistit të njohur amerikan kërkesat ndërkombëtare të shprehura së fundi edhe nga liderët e shteteve kryesore evropiane, sikur se presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, nëpërmjet një komunikate ku thuhet se Serbia duhet ta njoh de facto Kosovën, kurse kjo e fundit ta formojë sa më shpejt Asociacionin, më shumë se sa do ta zgjidhnin problemin, në të vërtetë vetëm sa do ta shtojnë.

E para njohja de facto nuk është njohje. Sepse ose ka njohje ose nuk ka. Ndërkohë në anën tjetër “serbët e Kosovës do ta kishin një organizatë të njohur botërisht, derisa vetë Kosova nuk e gëzon një status të tillë. Bashkësia ndërkombëtare shpreson se me këtë solucion do të mund të bindet Serbia që të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, apo se mund ta ndalë fushatën e saj për sigurimin e  ç’njohjeve të reja për Kosovën. Mirëpo, përsëri shteti serb e ruan mbështetjen e Kinës dhe të Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta mbajtur të bllokuar shtetësinë ndërkombëtare të Kosovës, pohon eksperti në fjalë. Pra asaj nuk i duhet të bëjë asgjë, ndërkohë Kosovës i kërkohet të ndryshojë karakterin e brendshëm të shtetit. E më këta po ashtu vetëm shtohen levat e pushtetit të Serbisë në Kosovë.

Pra në vend të sigurimit të njohjes për Kosovën nga Serbia, çfarë edhe ishte qëllimi themelor i dialogut, tashmë ai ka përfunduar në mjet për sigurimin e njohës së Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, me atribute federale.

E historia deri më tani e ka vërtetuar se një shtet shumë më lehtë mund të dekompozohet, ndonëse nuk është rregull absolut, kur ka rregullim dhe strukturë të brendshme federale ose konfederale. Pra kur brenda tij ekziston një entitet i definuar qartë në aspektin territorial, politik, etnik dhe ka gëzon një autonomi politike.

/TV Malisheva

Share.