Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Atdhe Nuhiu, ka thënë se ndeshja e së dielës kundër Anglisë do të jetë historikë dhe se në Prishtinë do të festohet që Kosova, me historinë e saj, po përballet me një Kombëtare të madhe si Anglia.

Kosova do ta presë nesër në orën 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Kombëtaren e Anglisë, për ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, transmeton Gazeta Express.

Para kësaj ndeshjeje, Kombëtarja e Anglisë do të arrijë në aeroportin “Adem Jashari” sot në orën 18:30, ndërsa trajneri anglez Gareth Southgate do të mbajë konferencë në Prishtinë në orën 19:30.

“Ardhja e Anglisë për të luajë në Kosovë është diçka e madhe, historike”, ka thënë Atdhe Nuhiu, i cili shënoi për Kosovën në Pilsen ntë Çekisë. Ndeshja ka rëndësi të veçantë për sulmuesin pasi që ai luan për klubin anglez në Championship, Sheffield Ëednesday.

“Ne, në Prishtinë, do të festojmë që Kosova, me historinë e saj dhe edhe pse është vend i vogël, është duke qëndruar e fortë dhe do të luajë kundër Anglisë”, shtoi Nuhiu, i cili mund të luajë sërish të dielën, në mungesë të Vedat Muriqit, i cili është i lënduar.

Vlera e kësaj ndeshjeje të së dielës ka rënë për Kosovën pas humbjes të së enjten në Çeki, pasi që tani “Dardanët” e kanë të pamundur të kualifikohen në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A.

Në anën tjetër, Anglia e ka siguruar kualifikimin, mirëpo i duhet fitorja për t’u siguruar që është fituese e grupit. Nëse e kalon grupin si fituese, Anglia ka më shumë gjasa të përballet me Kombëtare më të dobëta në letër në fazën e grupeve të Evropianit.

Share.