Administrata Tatimore e Kosovës për gjashtë muajt e parë të këtij viti ka mbledhur mbi 355 milionë euro të hyra. Të dhënat janë prezantuar nga drejtori i këtij institucioni, Ilir Murtezaj, sipas të cilit, në rritjen e të hyrave ka ndikuar ndër të tjera fuqizimi i kontrollit të brendshëm dhe rritja e efikasitetit në mbledhjen e borxheve. Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati u ka bërë thirrje qytetarëve të kërkojnë kupon fiskal në çdo blerje, derisa ka theksuar se planifikojnë shtimin e numrit të inspektorëve.
Drejtori i ATK-së ka thënë se e kanë tejkaluar planin e të hyrave për 26 milionë euro, ndërsa ka shtuar se kanë shënuar rritje të të hyrave për 22% në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
Murtezaj: Për gjashtë muaj ATK ka mbledhur 355 milionë euro të hyra tatimore
“Gjatë kësaj periudhe raportuese të gjashtë mujorit ka arritur të mbledh të hyrat tatimore mbi 355 milionë euro, të hyra këto të cilat janë falë punës së madhe që është bërë nga stafi i ATK-së por njëkohësisht edhe deklarimi dhe pagesa e bizneseve që është bërë në respektim të kërkesave ligjore… Kjo ka bërë që gjatë kësaj periudhe të arrijmë të tejkalojmë planifikimet për 26.5 milionë euro apo 8.1%, si dhe të kemi tejkalim të të hyrave për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar për 22.9% apo 66.3 milionë euro”, ka thënë ai.
Sipas Murtezajt, ndër faktorët që kanë ndikuar në rritjen e të hyrave janë edhe ngritja e përgjegjësisë dhe llogaridhënies, rritja e efikasitetit në mbledhjen e borxheve, dixhitalizimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve 100%, shërbimet profesionale, rritja e transparencës, rritja e bashkëpunimit me institucionet vendore e ndërkombëtare dhe zbatimi i rekomandimeve nga këto të fundit.
Ndërsa sipas ministrit të financave, Hekuran Murati, parakusht për rritjen e suksesit është besimi i qytetarëve në institucionet e shtetit.
Murati: Jemi të interesuar të shohim edhe më tutje forcim të institucioneve shtetërore
“Jemi të interesuar të shohim edhe më tutje forcim të institucioneve shtetërore, normalisht kjo vije fillimisht me rritjen e besimit në to pra besimit në institucione nga ana e qytetarëve pastaj edhe forcim duke rritë integritetin por edhe duke përmirësuar sistemet të cilat edhe nëse do dikush me dalë pastaj jashtë kornizave të integritetit do ta ketë të pamundur sepse sistemi i identifikon dhe nuk i lejon”, ka thënë Murati.
Ndërsa, drejtori i ATK-së ka pranuar që vazhdojnë të përballen me sfida edhe në pjesën veriore të vendit. Lidhur me këtë, ministri i Financave ka thënë se është një proces gradual por sipas tij po vazhdon me një ritëm shumë më të shpejtë se vitet e kaluara.
Murati: Vitin e fundit ka pasur aksione për luftimin e kontrabandës më shumë se në dhjetë vitet e fundit bashkë
“Për pjesën veriore të vendit, normalisht që ka sfida siç e tha edhe drejtori, ne në gjithë territorin po bëjmë thirrje që vet qytetarët të kërkojnë kuponin fiskal në mënyrë që çdo transaksion të jetë i fiskalizuar por po ashtu më duhet të theksoj se vetëm vitin e fundit ka pasur më shumë aksione sesa ndoshta komplet dhjetë vitet paraprake bashkë. Besoj e dini sidomos dogana, ndalimi i kontrabandës, luftimi i kontrabandës, por edhe ndërhyrjet e policisë për të luftuar aktivitetet e tjera ilegale kështu që është një proces gradual pro prapë po e them tempoja është më e shpejtë dhe më e mirë sesa që ka qenë ndoshta një dekadë më herët komplet bashkërisht. Është sfidë por po adresohet” ka thënë Murati.
Murati gjithashtu ka thënë se vitin e ardhshëm pritet të shtohet numri i inspektorëve.
Murati: Për vitin e ardhshëm kemi paraparë shtim të inspektorëve
“Sa i përket shtimit të stafit ne për vitin e ardhshëm kemi paraparë të ketë shtim të inspektorëve pra në kornizën afatmesme të shpenzimeve janë alokuar disa pozita, qoftë për Administratën Tatimore, Doganën apo inspektorate të tjera, inspektorati i punës, tregut e të tjera, pra pritet që shumë shpejtë të ketë lëvizje edhe në atë drejtim, megjithatë, administrata publike në përgjithësi ka edhe sfida të tjera të cilat janë trashëgimi e disa ligjeve që janë miratuar më herët dhe kanë bërë një centralizim ndoshta të rekrutimit pa i përshtat kapacitetet rekrutuesen njëkohësisht”, ka thënë ai.
Në konferencën ku u prezantuan zhvillimet për periudhën janar-qershor 2022, drejtori i ATK-së ka thënë se janë duke punuar për gjetjen e një modaliteti për rimbursimin e qytetarëve nga kuponët fiskal, përmes ndonjë loje shpërblyese apo forme tjetër rimbursimi.
Sipas tij, po synohet nxitja e lëshimit të kuponëve fiskal dhe njëkohësisht përfitimi i qytetarëve nga një fushatë e tillë.
Ndërsa në mesin e sfidave, Murtezaj ka përmendur finalizimin dhe implementimin e projektit të IT-së, zvogëlimin e stokut të borxheve, përmirësimin e regjistrit të tatimpaguesve dhe reformën në kontrollin tatimor dhe administrimin e TVSH-së./TV Malisheva