Mediet serbe janë duke raportuar se në Jarinje është ndaluar ndihmësdrejtoresha e të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Dushica Nikoliq.

Në pikëkalimin kufitar në Jarinje autoritetet kosovare nuk e kanë lejuar që të hyjë në Kosovë, Dushica Nikoliq, ndihmësdrejtoreshën e të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Kështu të paktën janë duke raportuar mediet serbe, transmeton lajmi.net.

“Ne jemi dëshmitarë të veprimeve jodemokratike të institucioneve të Kosovës, të cilat, pa asnjë bazë ligjore, vazhdojnë të parandalojnë përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë që të mbështesin popullin e tyre në Kosovë”, ka deklaruar Nikoliq.

Sipas saj, pavarësisht këtyre veprimeve, autoritetet kosovare nuk do të mund siç tha ajo “ta prishin dhe dekurajojnë unitetin serb në Kosovë”.

“Ata kanë frikë nga uniteti serb dhe me çdo kusht duan të dekurajojnë serbët. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që ne të tregojmë forcën, unitetin dhe kokëfortësinë tonë serbe në 6 tetor dhe të fitojmë”, deklaroi Nikoliq për “Tv Most”, transmeton më tutje lajmi.net.

Theksojmë se kjo nuk është ndalesa e parë për zyrtarët serbë nga autoritet kosovare, pasi që Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka marrë vendim që të ndalojë hyrjen e çfarëdo zyrtari serb gjatë kohës së fushatës.

“ Zgjedhjet e 6 tetorit janë zgjedhje të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Zyrtarët e Beogradit nuk mund dhe nuk do të lejohen të bëjnë fushatë zgjedhore në zgjedhjet e Kosovës. E as nuk do të tolerohen kërcënimet kundër komunitetit serb të Kosovës nga Beogradi. Beogradi e di realitetin në Kosovë dhe konform kësaj duhet të sillet, duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka bërë të ditur Zetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Share.