Një komandant ushtarak ukrainas thotë se suksesi i një kundërofensive është realizuar nga trupat e tij rreth qytetit të Kharkiv dhe tanimë çdo gjë u lihet atyre në dorë pasi e njohin terrenin. Forcat ruse duket se janë larguar nga qyteti dhe fshatrat përreth.
“Shumica dërrmuese e ushtarakëve që janë rekrutuar për mbrojtjen territoriale – janë marrë në zona të caktuar për detyra specifike. Avantazhi është se është se vartësit e mi nuk kanë nevojë për harta – ata kanë një hartë në kokën e tyre, e njohin këtë zonë jo me harta, ata e kanë shkelur më parë. Kjo është forca jonë”, u shpreh komandanti.
Por më në jug-lindje, përgjatë vijës së frontit në rajonin e Donbasit, forcat ruse po vazhdojnë të sulmojnë me një breshëri të pamëshirshme artilerie, dhe kanë arritur të marrin disa territore.
Në qytetin Kherson të kontrolluar nga Rusia, imazhet e publikuara nga Ministria e Mbrojtjes ruse tregojnë vullnetarë që shpërndajnë ndihma humanitare.
Zyrtarët atje thonë se planifikojnë të kërkojnë aneksimin nga Moska, një veprim që do të konfirmonte pushtimin e territorit ukrainas.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se i takon banorëve të Khersonit të vendosin nëse duan të bashkohen me Rusinë, por vendimi duhet të ketë një bazë të qartë ligjore.
Separatistët rusë në Donetsk festuan përvjetorin e tetë të pavarësisë së tyre të vetëshpallur. Sheshi në qendër të qytetit mori emrin e një oficeri rus, i cili ishte ndër ushtarakët e parë rusë të vrarë në atë që Moska e cilëson si operacion ushtarak special.
/TV Malisheva