Ministrja për Punët e Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock deklaroi sot në Tiranë se tensionet e ditëve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës po rrezikojnë edhe Procesin e Berlinit.
Baerbock i bëri këto deklarata në prononcimin për median në nisje të takimit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë.
Ajo theksoi se “duhet të ecim drejt BE-së më shpejt dhe për këtë arsye Procesi i Berlinit është vendimtar lidhur me ndërlidhjen në rajon, bashkëpunimin dhe marrëveshjet e tjera mbi lëvizshmërinë”.
Megjithatë, sipas krye-diplomates gjermane, në themel qëndron siguria.
“Prandaj, ne nënvizojmë se tensionet e ditëve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës po rrezikojnë edhe Procesin e Berlinit. Unë i bëj një thirrje të fortë, së bashku me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, por dhe të SHBA-së, Serbisë e cila duhet të reduktojë forcat që kemi parë së fundmi. Por, edhe NATO nëpërmjet KFOR-it duhet të tregojë një angazhim më të madh në rajon”, theksoi Baerbock.
Kryediplomatja gjermane po merr pjesë në punimet e samitit të Ministrave të Jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit.
/TV Malisheva