Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pasi u përfol se zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka blerë xhaketë në vlerë prej 1,600 euro.

Bajrami me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se ministrat e Qeverisë Kurti bëjnë jetë luksoze.

Së këndejmi, ish-ministrja ka vënë në pah të gjeturat e Raportit të Komisionit Evropian për tenderë të negociuar, duke aluduar se tenderët iu janë dhënë dostave të ministrave.

“Pse po çuditeni për luksin e ministrave të Qeverisë Kurti kur Raporti i Komisionit Evropian thotë se 20% e kontratave publike janë tenderë të negociuar. Që dmth. u janë dhanë dostave, vlera e tyre është mbi 78 milionë euro”, deklaroi ajo.

Zëvendësministri Durmishi në një prononcim për Insajderin ka mohuar ta ketë blerë xhaketën e markës ‘Canada Goose’, ku në dyqanin online bart vlerën e 1,600 eurove. Ai ka thënë se atë e ka blerë 100 euro.

“Këtë jakne e kom ble 100 euro në Urban Style në Fushë Kosovë, mundeni me shku me pytë sa kushtojnë këto jakne, as s’më ka interesu çfarë firme është, e kam ble m’u duk e mirë për dimën, para një kohe. S’kom mundësi me ble jakne 2 mijë euro, edhe po t’i kisha nuk do ta kisha ble”, deklaroi ai për Insajderin.

Durmishi është pyetur edhe për çështjen e imitimit të produktit origjinal, që përbën vepër penale, mirëpo ai ka thënë se për një gjë të tillë duhet të flasin ata që shesin këto produkte.

Kjo është çështje që duhet me u marrë me ata që shesin këto. Besoj, me letra janë në rregull [butiku]”, ka thënë ndër të tjera Durmishi.

/TV Malisheva

Share.