Në Ohër të Maqedonisë së Veriut sot po mbahet takimi i radhës i nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”.
Liderët pritet të nënshkruajnë katër marrëveshje bashkëpunimi – për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.
Në nismën “Ballkani i Hapur” po marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – jashtë saj janë ende: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Megjithatë, në Ohër, në cilësinë e vëzhguesve po marrin pjesë përfaqësuesit e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Ndërkaq, nikoqiri i takimit në Ohër, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se “në çdo takim të ri të nismëtarëve dhe miqve të ‘Ballkanit të Hapur’, ne ofrojmë bashkëpunim më të fortë, komunikim më të lehtë dhe kushte më të mira për zhvillim ekonomik”.
“Është kënaqësi që mysafirë tanë në këtë samit janë Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilët besoj se në të ardhmen do të bëhen pjesë e kësaj nisme të suksesshme”, tha Kovaçevski përmes një postimi në Facebook.
/TV Malisheva