Skuadra e Ballkanit mbrëmë ka shkruar historinë duke u kualifikuar në grupet e Conference League – pas fitores ndaj Shkupit me rezultatin e përgjithshëm 3:1.
Natyrisht se ky është suksesi më i madh në histori të futbollit vendor, pasi në grupet e Conference League marrin pjesë edhe skuadra nga top pesë ligat më të forta në botë dhe asnjëherë nuk kishte pjesëmarrës nga vendi ynë në të kaluarën, shkruan TV Malisheva.
I çuditshëm është fakti që deri më tani, as kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e as Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku nuk kanë reaguar fare (të paktën në rrjetin social Facebook) në lidhje me këtë sukses kaq të madh të ekipit, FC Ballkani.
Kujtojmë se për këtë sukses madhështor, FC Ballkani ka bërë një lobim të madh për shtetin e Kosovës, pasi mediat nga e gjithë Evropa kanë shkruar për suharekasit, teksa përveç kësaj klubi do të arkëtojë të paktën 3.2 milionë euro.
Ndryshe nga politikanët tanë, në Kroaci duket se sporti vlerësohet më shumë dhe sukseset nëse nuk shpërblehen, të paktën urohen publikisht nga figurat më të larta të shtetit.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic reagoi pak minuta pas kualifikimit të Dinamo Zagrebit në grupet e Champions League të mërkurën, ndërsa në vendin tonë kanë kaluar orë të tëra dhe ende nuk kemi asnjë reagim.