Asociacioni Zhvillimor Ndërkombëtar, pjesë e Bankës Botërore aprovuar kredinë për 46 milionë euro për “Projektin e Emergjencës COVID-19”.

Mjetet financiare do të destinohen në parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimit të paraqitur nga COVID-19, duke mundësuar ndër të tjera, prokurimin e pajisjeve mjekësore, si dhe forcimin e sistemit shëndetësor publik duke i rritur kapacitetet e testimit dhe zgjerimin e kapaciteteve të Klinikës së Sëmundjeve Infektive.

Për më tepër, në kuadër të kësaj kredie, do të mbështeten skemat e ndihmave sociale dhe amvisëritë sipas Pakos Emergjente Fiskale të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Asociacioni Zhvillimor Ndërkombëtar, njohur ndryshe si International Development Association, si pjesë e Bankës Botërore, është institucion kredidhënës, i cili përmes huadhënies në kushte më të favorshme sesa të tregut financiar, synon të ndihmojë ndër të tjera reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve jetësore.

“Projekti i Emergjencës COVID-19” është arritur pas një bashkëpunimi të ngushtë mes Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe Ministrisë së Shëndetësisë në njërën anë dhe Bankën Botërore në anën tjetër./ Tv Malisheva

Share.