Banka e Anglisë njoftoi se bitcoin mund të bëhet i pavlefshëm dhe se njerëzit që investojnë në monedhën digjitale duhet të jenë gati të humbasin gjithçka.

Në një paralajmërim për rreziqet e mundshme për investitorët, Banka vuri në dyshim nëse ekziston një vlerë e natyrshme e monedhës digjitale më të spikatur, vlera e së cilës është rritur në afër 50.000 dollarë këtë vit, raportojnë mediat britanike.

Në fillim të nëntorit, bitcoin arriti një vlerë rekord prej 67.000 dollarësh, por më pas vlera ra në mënyrë drastike pasi u shfaq për herë të parë lajmi për variantin e ri të virusit korona, Omicron.

Bitcoin u stabilizua vetëm javën e kaluar. Zëvendësguvernatori Sir John Canliff tha se Banka duhet të jetë e përgatitur për rreziqet që lidhen me rritjen e kriptomonedhës pas rritjes së shpejtë të popullaritetit të saj.

“Çmimet mund të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme dhe bitcoin teorikisht ose praktikisht mund të bjerë në zero”, tha ai për BBC.

Kapitalizimi i tregut të kriptomonedhave është rritur dhjetëfish që nga fillimi i vitit 2020 në rreth 2.5 miliardë dollarë, që përfaqëson rreth 1 për qind të aseteve financiare globale. Rreth 0.1 për qind e pasurisë së familjeve britanike është në bitcoin dhe kriptovaluta të ngjashme, të tilla si monedha ethereum dhe binance.

Rreth 2.3 milionë njerëz mbajnë një kriptomonedhë, mesatarisht rreth 330 funte secila.

Bordi i politikave financiare të bankës, i krijuar pas krizës financiare të vitit 2008 për të monitoruar rrezikun, tha se kishte pak kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin e sistemit financiar të Mbretërisë së Bashkuar nga kriptovalutat.

Megjithatë, bordi paralajmëroi se, me normën aktuale të rritjes së shpejtë, aktive të tilla mund të lidhen më shumë me shërbimet tradicionale financiare dhe ka të ngjarë të paraqesin një sërë rreziqesh.

Duke njoftuar rishikimin e rregullt të gjendjes së sistemit financiar, Banka tha se institucionet kryesore duhet t’i qasen me kujdes adoptimit të kriptomonedhave dhe se duhet t’i kushtojnë vëmendje të madhe zhvillimeve të tyre në treg./TV Malisheva

Share.