Zbatimi i Ligjit për Barazi Gjinore mbetet sfidë për Kosovën, andaj qeveria e re duhet ta merr parasysh barazinë gjinor.

Kështu u tha nga panelistët me rastin e publikimit të analizës gjinore të Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes mbi Stabilizim-Asociim të Kosovës me Bashkimin Evropian nga  Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), projekt ky i mbështetur nga Ambasada norvegjeze në Kosovë në bashkëpunim me Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civilë (KCSF).

Drejtoresha e Programit në KIPRED, Ariana Qosaj-Mustafa tha se është e domosdoshme që perspektiva gjinore të jetë pjesë në secilin dokument  që e harton Qeveria e Kosovës. Sipas saj, ligji për barazi gjinore duhet edhe të gjejë zbatim e jo të miratohen vetëm sa për t’i pasur.

Qosaj-Mustafa tha se në bazë të hulumtimit ka rënie në vëmendjen sa i takon respektimit të barazisë gjinore.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jens Erik Grondahl  teksa kërkoi më shumë përkushtim institucional për zbatim të Ligjit për Barazi Gjinore, tha se ky aspekt është kyç për Bashkimin Evropian.

Ndërsa, zyrtarja për politika në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Maria Berishaj-Sylejmani tha se zbatimi i Ligjit për Barazi Gjinore në Kosovë mbetet sfidë, dhe se për këtë arsye gjinia femërore është pak e përfaqësuar në politikat lokale dhe qendrore.

Sipas saj, në këtë drejtim deri tani është parë një reagim i dobët, derisa pret nga Qeveria e ardhshme e Kosovës që barazinë gjinore ta ketë prioritet të saj.

Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, Kushtrim Cukaj deklaroi se si ministri i kanë thënë hapësirë të veçantë perspektivës gjinore. Ai pret që institucionet e reja të Kosovës ta marrin me më prioritet trajtimin e kësaj çështje.

Hulumtimi rreth analizës gjinore të Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes mbi Stabilizim-Asociim të Kosovës me Bashkimin Evropian ka treguar më tej problemet të vazhdueshme në kapacitete dhe njohuri themelore në lidhje me barazinë gjinore nëpër institucione.

Këto mungesa të kapaciteteve sipas hulumtimit përfshijnë mungesë njohurish mbi kërkesat LBGJ dhe PKZMSA që kanë të bëjnë me integrimin gjinor dhe barazinë gjinore, por gjithashtu njohuri shumë të ulëta në kërkesat lidhur me gjininë dhe çështjet e barazisë gjinore brenda sektorëve të punës.

Hulumtimi po ashtu ka treguar se barazia gjinore, integrimi gjinor dhe parimet e barabarta të përfaqësimit janë vazhdimisht duke lënë pas dore gjatë gjithë procesit të rishikimit dhe hartimit të MSA-së së re dhe miratimit të planeve të reja të veprimit të PKZMSA-së./KosovaPress/

Share.