Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri Lulzim Basha është zotuar se në mandatin e tij të ri katërvjeçar do të angazhohet fuqishëm për rikthimin e kësaj partie në krye të vendit dhe t’i japë fund siç u shpreh ai kundërshtarit të vetëm të shumicës së shqiptarëve, regjimit Rama-Doshi.
Në një adresim për media, Basha u zotua se nga dje energjitë dhe përpjekjet e tij do të shkojnë drejt regjimit Rama-Doshi dhe se do të angazhohen fuqishëm për një Shqipëri demokratike dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj.
“Ndaj dhe vullneti që shprehët në këto ditë të vështira për vendin, do të shërbej si udhërrëfyes në rrugëtimin tonë në shërbim të vendit. Sepse me këtë votë të qartë ju refuzuat të njihni masakrën zgjedhore të 25 prillit! Me këtë votë të qartë ju refuzuat bashkëpunimin me regjimin Rama-Doshi! Me këtë votë të qartë ju vendosët se bashkë, të gjithë bashkë, do të luftojmë me gjithë forcën tonë për ndryshimin që u pengua në 25 prill. Me këtë votë të qartë ju vendosët se do të luftojmë për të përmbushur atë që është qëllimi për të cilin jemi krijuar dhe rrojmë si parti, një Shqipëri demokratike”, u shpreh Basha.
Ai ndërkaq ka pasur edhe një mesazh për kundërkandidatët e tij që ishin pjesë e garës për kreun e Partisë Demokratike.
“Për secilin prej tyre kam një mesazh: Ne kemi mendime të ndryshme por parime të njëjta, prandaj jam i bindur se përtej diferencave, nga sot energjitë dhe përpjekjet tona do të shkojnë në drejtim të kundërshtarit të vetëm të Partisë Demokratike, dhe të shumicës dërmuese të shqiptarëve, regjimit Rama-Doshi”, tha Basha.
Ai ka shprehur zotimin e tij se Partia Demokratike do të punojë për luftimin e pushtetit, të cilin ai e quajti të lidhur me krimin, pasi vetëm në këtë mënyrë qytetarët e vendit.
“Padyshim ajo që na pret përpara nuk është më e lehtë se ajo që kemi lënë pas. Por, unë e di që me forcën që na kanë dhënë shqiptarët më 25 prill dhe me vendosmërinë që treguat nëpërmjet votës tuaj, shpresa për demokraci dhe për ndryshim nuk do të zhduket nga ky vend. Unë e di që bashkë me shumicën e shqiptarëve ne do ta rrëzojmë këtë regjim! Prandaj ne do të luftojmë çdo ditë, për çdo shqiptar, kundër çdo padrejtësie, me çdo mjet“, tha Basha.
Lulzim Basha më 13 qershor mori mandatin e tretë dhe për katër vjetët e ardhshme do të drejtojë Partinë Demokratike. Nga mbi 41.000 demokratë që morën pjesë në votim, 32.882 prej tyre ia dhanë besimin Lulzim Bashës. I dyti më i votuari u rendit kandidati Agron Shehaj me 6.038 vota pasuar nga Edit Harxhi 991 vota dhe Fatbardh Kadilli 763 vota.
Basha si argument kryesor të betejës politike javët e fundit, ka pasur atë që e quan masakra elektorale e 25 prillit. Për këtë ai akuzoi direkt kryeministrin Edi Ramën./TV Malisheva