Një ditë pasi ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputeti Flamur Noka dëshmuan në Prokurorinë e Tiranës për protestën e 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike, radhën për ta bërë një gjë të tillë e ka kryetari i PD, Lulzim Basha si dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Gazment Bardhi.
Basha dhe Bardhi mësohet se do të përgjigjen ndaj pretendimeve se brenda selisë së PD-së, ku edhe ata ishin të shtunën, ka pasur persona të armatosur dhe me precedent penal.
Po ashtu, kryedemokrati do të pyetet edhe për dhunën me mjete të forta dhe përdorimin e bombolave anti-zjarr nga persona të cilët gjendeshin brenda selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Gjatë ditës së enjte, Berisha dha dëshminë e tij duke thënë se i ka njoftuar autoritetet për bandat e Lulzim Bashës. Sipas Berishës, më 8 janar në selinë e PD ka pasur njerëz të armatosur dhe armët janë larguar me mjetin e kryetarit të PD, Lulzim Basha./TV Malisheva