Ditën e sotme kreu i Partisë Demokratike është nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Basha do të qendrojë tre ditë në SHBA, ku do të takohet me zyrtarë të lartë të politikës amerikane dhe në veçanti me DASH-in.

Burime brenda selisë blu informojnë se Basha është nisur në Gjermani dhe ditën e sotme ka mbërritur në SHBA. Jo zyrtarisht saktësojnë se kreu i PD do të japë shpjegime për afër 1 milion dollarët e financuar nga rusët për të bërë foton me Trump. Hetimi ka nisur dhe në Skoci ku janë bërë transfertat përmes kompanisë guackë “Biniatta Trade”, në Shqipëri, ku prokuroria i ka shtyrë dhe tre muaj të tjerë hetimet, për t’ia “ngecur” në derë SPAK.

Interesimit tonë në selinë e PD, burimet iu përgjigjën me shpjegimin se Basha ka ikur në SHBA për disa takime të planifikuara kohë më parë dhe nuk ka pse të pasqyrohen në adresat zyrtare apo përmes ndonjë njoftimi shtypi, përpara se të zhvillohen

Por në mënyrë jozyrtare, teksa nuk kanë precizuar asnjë emër kongresmeni apo senatori që do të takojë Bashën në Uashington, burimet brenda PD thonë se bëhet fjalë për hetimin që FBI ka filluar për lobimin në SHBA.

Mësohet se Lulzim Basha ka udhëtuar drejt SHBA për t’iu nënshtruar një seance pyetjesh në zyrat përkatëse të FBI, pikërisht në funksion të hetimeve, që janë në kulmin e tyre, për lobimin e kreut të PD në Uashington, të financuar nga bota e nëndheshme e krimit rus.

Një hetim i tillë po bëhet dhe në Skoci, për shkak se paratë janë dërguar pikërisht nga kryeqyteti i këtij vendi përmes kompanisë guackë “Biniatta Trade”, por dhe në Shqipëri ku janë marrë në shqyrtim deklaratat e PD në KQZ për financimet.

Njëherësh në Prokurorinë shqiptare kanë dhënë dëshminë e tij dhe vetë Basha, ish sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani dhe financieri i PD, Ilir Dervishi, të cilët kanë shpjeguar në mënyrë të detajuar gjithçka ka ndodhur, gjithnjë sipas versionit të tyre.

Lulzim Basha u përfshi dy vite më parë në një skandal transaksionesh prej afër 1 milionë dollarë për lobimet e tij në SHBA, para të paguara nga parajsat fiskale, të lidhura me biznesmenë rusë. Lobimet përfshinë edhe një foto të kreut të PD Basha me Presidentin Trump.

Këto financime u denoncuan fillimisht nga mediat amerikane, ndërkohë që menjëherë pas publikimit të këtyre fakteve FBI filloi hetimet, në funksion të të cilave po udhëton dhe Lulzim Basha në drejtim të SHBA.

Kreu i PD në kohë të ndryshme ka dhënë shpjegime kontradiktore për financimet e lobimeve në SHBA, një skandal i cili bëri shumë bujë në media, por që në SHBA, Skoci dhe në Shqipëri vazhdojnë ende hetimet.

Madje Prokuroria shqiptare vendosi shtyrjen e hetimeve edhe për tre muaj, në përpjekje për të fituar kohë jo për të mbledhur më shumë prova dhe fakte, por për t’ia ‘ngecur’ në derë SPAK./Pamfleti

Share.