Punëtorët shëndetësorë gjatë kësaj kohe janë portretizuar si ushtarë në vijën e parë të frontit kundër pandemisë me Covid 19.

Ani pse ishin shpresë për shumë pacientë, edhe punëtorët shëndetësor janë ballafaquar me pasiguri sa i përket pasojave të virusit. Ata janë frikësuar nga infektimi, në veçanti nga bartja e mundshme e virusit të familjarët e tyre.

Këtë e tregon edhe Dardan Sheholli, mjek i përgjithshëm i cili në këtë periudhë të koronavirusit shërben në pikën kufitare në Merdare.

Sheholli: Shqetësimi kryesor ka qenë bartja e virusit

“Shqetësimi më i madh ka qenë bartja eventuale në mënyrë të heshtur të bashkë familjarët pastaj edhe aspekte të tjera profesionale por kjo ka qenë më e madhja, dhe jo që nuk është më, veçse ka ndodhur një lloj adaptimi i heshtur me këtë gjendje”, rrëfen ai.

Sheholli i cili punon tash e dy vjet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, tregon se që nga përhapja e virusit, orari i tyre ka ndryshuar tërësisht.

Sheholli: Pandemia ka ndryshuar orarin e punëtorëve shëndetësorë

“Orari para pandemisë ka qenë gjashtë orë e gjysmë, duke përfshi edhe dy kujdestari gjatë vikendeve, një herë në muaj, ndërsa tash gjatë pandemisë, orari është 12 orësh, 07:00 e mëngjesit deri në 19:00 në mbrëmje dhe 19:00 në mbrëmje deri në 07:00 mëngjes…. Furnizohemi me mjete mbrojtëse siç janë këto të cilat po i shihni tash që i kam veshur, mjetet mbrojtëse, maska dhe doreza, pjesa e mbirrobeve.”, thotë ai.

Ai tregon që ka qenë mjaftë e vështirë të mbajë distancën me familjarët, meqë pothuajse gjatë gjithë kohës kishte kontakte direkte me të dyshuar dhe persona të prekur me Covid 19.

Por, sipas tij, tashmë ka filluar një bashkëjetesë me këtë virus.

Sheholli: Fillimi i pandemisë ka qenë shumë i vështirë

“Në shtëpi fillimi veçanërisht i vështirë, tashmë ka ndodhur një bashkëjetesë me këtë pandemie dhe nga ana e bashkë-familjarëve, edhe si profesionistë shëndetësor, tashmë është bërë goxha një kohë dhe po kalojmë më mirë”, shton ai.

Ai porositë qytetarët që të ruajnë distancën meqë sipas tij virusi është i pafuqishëm nëse tregohet kujdes dhe respektohet rekomandimet e institucioneve shëndetësore./Tv Malisheva

Share.