Partia Demokratike e Kosovës përjashtoi tre anëtarë të degës në Gjilan pasi të njëjtit nuk respektuan vendimin e Këshillit Drejtues të kësaj partie për pezullim të çdo komunikimi zyrtar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Vendimi është marrë në një mbledhje të Kryesisë së PDK-së ku u tha se Leonora Morina-Bunjaku, Enver Shabani dhe Bajram Isufi nuk zbatuar qëndrimet partiake duke vazhduar bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, edhe pas prishjes së koalicionit.

Këshilli Drejtues i PDK-së më 3 korrik kishte marrë vendim për pezullimin e çdo komunikimi zyrtar, si dhe ndërprerjen e bashkëpunimit institucional me presidenten, kryeministrin dhe partinë në pushtet.

“Në këtë kontekst, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, si rezultat i mosrespektimit të këtij vendimi nga disa anëtarë të saj nga Dega në Gjilan, në mbledhjen e sotme ka vendosur që të përjashtojë nga të gjitha strukturat e saj, tre anëtarë: Leonora Morina – Bunjakun, Enver Shabanin dhe Bajram Isufin. Zyrtarët e përjashtuar nuk kanë zbatuar qëndrimet partiake dhe vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së edhe pas kërkesës me shkrim të datës 31 korrik 2023, të komunikuar zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, dhe kanë vazhduar të shërbejnë Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, përkundër prishjes së koalicionit kohë më parë”, njoftoi PDK përmes një komunikate.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe për aktualitetin politik në vend ku sipas PDK-së gjendja në Kosovë është e rëndë dhe vjen si pasojë e paaftësisë qeverisëse, keqqeverisjes dhe abuzimeve të shumta.

“Përfshirja e këtij pushteti në afera të ndryshme, prej atyre me energjinë, rezervat shtetërore, tekstet shkollore, trafikimin e substancave narkotike, keqmenaxhimin e institucioneve të ndryshme dhe keqpërdorimet e shumta të detyrave zyrtare – shpërfaqin karakterin e vërtetë të kësaj Qeverie. PDK shpreh shqetësimin e madh që si pasojë e kësaj qeverisjeje, mbi 150 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendin në dy vitet e fundit, është rritur kosto e jetesës dhe çdo ditë po rritet numri i familjeve kosovare që po shkojnë drejt pragut të varfërisë. Për më shumë, është dëmtuar mirëqenia e qytetarëve dhe progresi i shtetit, ku si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare, janë dëmtuar aleancat strategjike të shtetit dhe Kosova ka humbur një sërë fondesh të mëdha ndërkombëtare”, u tha në komunikatë.

Sipas PDK-së, Qeveria Kurti ka humbur çdo kredibilitet dhe zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme.

/TV Malisheva

Share.