Bashkimi i Shqipërisë dhe i Kosovës është përfolur prej shumë kohësh, por një gjë është e sigurt, se këtë nuk do ta bëjë politika, por sporti.

Sporti edhe një herë pritet ta thotë fjalën kryesore për bashkimin e shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, pasi një gjë të tillë ka dështuar ta bëjë politike deri më tani.

Fillimisht, futbolli ishte i pari që hodhi një ide të krijimit të një Kupe të përbashkët mes klubeve të Shqipërisë dhe Kosovës

Megjithatë, pas futbollit, tani po përmendet që edhe basketbolli të bashkojë shqiptarët në sport përmes një kampionati të përbashkët mes klubeve më të mira në Shqipëri dhe Kosovë.

Njëri prej basketbollistëve më të mirë që ka luajtur në basketbollin e Kosovës është edhe Gerti Shima, i cili kishte shkëlqyer me fanellën e Pejës dhe Prishtinës.

Basketbollisti 33-vjeçar nga Tirana në një interviste me “Zërin” ka thënë se e sheh si pozitive bashkimin e basketbollit të Shqipërisë dhe Kosovës në një kampionat të përbashkët.

“Do të ishte pozitive, për të dyja kampionatet, por në veçanti do t’i hynte më shumë në punë Shqipërisë për të fituar më shumë përvojë. Kam pothuajse gjithë karrierën time që e dëgjoj këtë projekt, por akoma sot e asaj dite vazhdojmë me pyetjet se a do të bëhet apo jo”, ka thënë Gerti Shima për Zëri.info.

Tutje, ai shpreson se një gjë e tillë do të realizohet, dhe që Shqipëria dhe Kosova të luajnë me skuadrat e tyre në një kampionat të përbashkët.

“Shpresoj që sa më shpejt të jetë e mundur, pse jo të kemi edhe një kampionat mbarë kombëtar me gjithë skuadrat shqiptare. Fundja, sa më shumë ndeshje, aq më shumë përvojë fitojmë. Poashtu, do të ketë më shumë përfitime për të gjithë”, shtoi Shima.

Share.