Pas fitores ndaj Zvicrës, basketbollistët e Kosovës sonte në orën 18:00, vazhdojnë stërvitjet në palestrën “Sezai Surroi”, në Prizren.
Sipas njoftimit të federatës, përgatitjet në Prizren do të vazhdojnë deri më 5 gusht, kur do të përballen me Danimarkën.
“Kjo është sfida e fundit në Rrethin e Tretë Parakualifikues, ku do të mësohet se kush do të depërtojë më tutje. Ndeshja me Danimarkën cilësohet si finale, ndërsa FBK fton gjithë adhuruesit e basketbollit të përkrahin lojtarët e Kosovës, pasi është një nga takimet më të rëndësishme në vitet e fundit. Përballja zhvillohet nga ora 20:45 më 5 gusht. Momentalisht, Danimarka ka dy fitore, Kosova dy fitore e një humbje dhe Zvicra tri humbje. Danimarka dhe Zvicra do të ndeshen më 2 gusht. Nëse danezët fitojnë këtë sfidë, ku janë favoritë, atëherë Dardanët duhet të mposhtin Danimarkën me tetë pikë dallim. Kosova mundi dy herë Zvicrën, 76:49 dhe 72:76, ndërsa pësoi nga Danimarka 82:75”, thuhet në njoftim.
/TV Malisheva