Sot në Nyon të Zvicrës u mbajt shorti i Ligës së Konferencës, ku njëra nga skuadrat kosovare, KF Llapi, mësoi kundërshtarin e saj.
Në raundin e parë kualifikues, Llapi do të përballet me skuadrën nga Mali i Zi, FK Buducnost Podgorica, ku ndeshjen e parë do ta zhvillojë në rolin e mysafirit, përcjellë TV Malisheva.
Ndërkaq, pasi që mësoi kundërshtarin e tij në këtë garë, trajneri Tahir Batatina e cilësoi këtë short të favorshëm dhe se skuadra do të përgatitet maksimalisht për të korrur suksese.
“E shoh një short të favorshëm, megjithatë duhet analizuar mjaft mirë kundërshtarin. Tashmë e kemi edhe përvojën pasi që vitin e kaluar ishte viti i parë i yni në Evropë dhe nuk kishim atë eksperiencën e duhur për të bërë më tepër”, tha Batatina.
“Do hymë pa eufori, të qetë dhe me hapa të sigurt. Tifozët tanë meritojnë më të mirën në garat ndërkombëtare dhe për këtë do punojmë maksimalisht që të korrim bashkarisht suksese”, shtoi më tej trajneri i Llapit.
Ndeshja e parë mes FK Buducnost Podgorica dhe KF Llapit zhvillohet më 7 korrik kurse ajo e kthimit më 14 korrik.
/TV Malisheva