Kanë kaluar dy muaj kur janë zhvilluar ndeshjet e fundit të Superligës, ato të xhiros së 22-të që edhe e përmbyllën fazën e dytë të kampionatit.
Edhe pse shorti për fazën e tretë është hedhur, koronavirusi ka bërë që asnjë ndeshje të mos luhet dhe skuadrat janë në pritje për një vendim të radhës.
Kjo pandemi i ka prekur klubet në aspektin financiar por më shumë i ka dëmtuar lojtarët në aspektin fizik dhe teknik.
Dy muaj pa stërvitje të koordinuar janë shumë për futbollist të nivelit profesional dhe do të duhet kohë për tu rikthyer në formë.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka folur për aspektin fizik të lojtarëve, ku fillimisht shpreson që kampionati të rinis pasi do të ishte më mirë për klubet.
“Po më e mira kishte me qenë me lujtë dhe me e mbyll kampionatin në fushë për të mos pasur asnjë dilemë apo mosknaqësi te skuadrat. Klubet janë të gatshme për të filluar, ku edhe dje në takim u deklaruan që nëse Ministria e Shëndetësisë na jep leje me fillu stërvitjet dhe kampionatin”, ka thënë Batatina për Indeksonline.
Trajneri i Llapit ka shtuar se kjo pauzë do të ndikoj shumë në përformancën e lojtarëve dhe do të duhet kohë që te rikthehen aty ku e kanë lënë para dy muajsh.
“Kjo pauzë ka ndikuar shumë sepse puna e lojtarëve dhe sportistave është specifike e sidomos futbolli që është sport kolektiv dhe gjithçka varet nga seancat me grup dhe skuadër dhe stërvitjet individuale janë vetëm për ta mbajtur formën dhe mos shtimin e peshës ndërsa nuk ka efekt pozitiv në ngritjen e cilësisë dhe kualitetit”, tha trajneri.
“Për t’u rikthyer në formë lojtarët duhen minimalisht dhjetë ditë në kushte emergjente siç jemi ne ndërsa maksimalisht 25 ditë pune efektive”, ka përfunduar Batatina.
Llapi aktualisht gjendet në pozitën e gjashtë në tabelë me 34 pikë, aq sa ka edhe Feronikeli një pozitë më lartë.