Shqipëria do të arrijë këtë vit një rritje ekonomike prej 7.2% sipas Bankës Botërore.

Në raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor, Banka Botërore është optimiste dhe thekson se po arrihet rimëkëmbja pas pandemisë së COVID-19.

Shtyllat kryesore ku po mbështetet rimëkëmbja janë turizmi, që këtë verë mori hovin e para pandemisë, sektori i ndërtimit dhe konsumi. Ndërsa, në vitet e ardhshme, rritja ekonomike do të jetë e moderuar dhe nuk do t’i kalojë 3.3%, thotë Banka Botërore.

“Punësimi dhe pjesëmarrja e forcës së punës janë po ashtu drejt rimëkëmbjes, edhe pse me ngadalësi, dhe pagat reale po rriten. Ringritja po kontribuon në mbledhjen e të ardhurave fiskale. Politikat ekonomike e kanë mbështetur këtë rimëkëmbje, por shtimi shpenzimeve ka çuar në rritje të mëtejshme të raportit të borxhit kundrejt PBB-së”.

Raporti tregon se rajoni i Ballkanit Perëndimor është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme, me një rritje të PBB-së që parashikohet të arrijë në 5,9 për qind për 2021, pas tkurrjes me 3.1 për qind në vitin 2020. Rritja e rajonit parashikohet të arrijë në 4.1 për qind për vitin 2022 dhe 3.8 për qind për vitin 2023.

Megjithatë, pasiguritë mbeten të mëdha, për shkak të rastet e reja me COVID.

“Norma e varfërisë për rajonin parashikohet të shkojë në nivelet para pandemisë dhe të ulet me rreth 1 pikë përqindje ose 20.3 për qind, çka është afër niveleve të vitit 2019. Rimëkëmbja në mbarë rajonin vjen falë forcimit të kërkesës vendase dhe asaj të huaj. Rritja e fortë e konsumit vendas dhe rinisja e udhëtimeve në Evropë ndihmuan në rritjen e dërgesave, si dhe flukseve hyrëse të turistëve gjatë kulmit të sezonit veror” /TV Malisheva

Share.