Bashkimi Evropian planifikon të sanksionojë huadhënësin më të madh rus Sberbank dhe kompanitë e tjera financiare ruse në raundin e ardhshëm të kufizimeve, tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen për një gazetë gjermane.

“Ne po shikojmë më tej sektorin bankar, veçanërisht Sberbank, i cili përbën 37% të sektorit bankar rus”, tha von der Leyen për Bild am Sonntag kur u pyet për raundin e gjashtë të ardhshëm të sanksioneve.

SHBA kishte vendosur “sanksione të rënda” ndaj Sberbank dhe Alfa Bank, në fillim të prillit. Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka sanksionuar Sberbank dhe është zotuar të përfundojë të gjitha importet e qymyrit dhe naftës ruse deri në fund të vitit 2022.

Por BE-ja kishte kursyer deri tani Sberbank dhe Gazprombank, sepse ato ishin rrugët kryesore për pagesat e saj për naftën dhe gazin rus.

Në raundin e pestë të ndëshkimeve, BE-ja kishte njoftuar një sërë kufizimesh, duke përfshirë një “ndalim të plotë të transaksioneve” në katër banka që përfaqësonin 23% të sektorit bankar të Rusisë./TV Malisheva

Share.