Një shkëmbim zjarri ndërmjet zyrtarëve policorë të Kosovës dhe grupeve terroriste nga Serbia me 24 shtator, si dhe paralajmërimi i Uashingtonit mbi ndërtimin e bazave ushtarake nga forcat serbe afër kufirit verior me Kosovën, kanë ngritur alarmin dhe frikën mbi stabilitetin e rajonit, pohon gazeta e njohur britanike “The Guardian”.
Ndërkohë, deri sa zyrtarët në Serbi kanë pohuar se Beogradi e ka reduktuar numrin e trupave ushtarake, megjithatë shqetësimi në kryeqytetet perëndimore mbetet.
“Jam tejet e shqetësuar nga sulmi i fundit në Banjskë dhe potenciali që bart kjo ngjarje për eskalim të situatës” ka pohuar për gazetën në fjalë Viola von Cramon- Taubadel, anëtare e Partisë së gjelbër në Gjermani dhe parlamentare evropiane.
Von Cramon-Taubedel, e cila është raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka shtuar se “për një kohë të gjatë kemi qenë dëshmitarë të përkeqësimit dhe bllokimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Prandaj, sipas saj ka ardhur koha që Brukseli ta rimendojë gjithë strategjinë e tij të deritanishme në lidhje me këtë temë. Qasja aktuale, e cila fokusohet kryesisht në stabilitetin politik dhe ekonomik, ka çuar në sulme sikur ky i Banjskës.
Në vend të kësaj, ne kemi nevojë të angazhohemi më shumë në sundimin e ligjit, demokracinë dhe inkurajimin e zërave progresiv në regjion. Po ashtu, është domosdoshmëri përforcimi i trupave të KFOR-it dhe EUFOR-it. Asgjë nuk mund ta pengojë më mirë përshkallëzimin e situatës se sa një prezencë e fortë e trupave të KFOR-it në terren” pohon ajo.
/TV Malisheva