Bashkimi Evropian është përgjigjur rreth 5 kërkesave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si hapa konkret për ta shtensionuar situatën e krijuar të veri të Kosovës.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë për Front Online se zhvillimet e djeshme në veri vetëm vërtetojnë se përshkallëzimi i situatës po vazhdon dhe kjo po shkon kundër Kosovës dhe popullit të saj.

“Konfirmojmë se Përfaqësuesi i Lartë Borrell ka marrë një letër nga kryeministri Kurti. Si gjithmonë, Përfaqësuesi i Lartë do të përgjigjet nëpërmjet kanaleve të përshtatshme. Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm sa dëshmojnë se përshkallëzimi vazhdon ende dhe kjo është në kundërshtim me interesin e Kosovës dhe të gjithë popullit në Kosovë”, tha ai.

Stano thotë se deri më tani nuk po shohin asnjë hap konkret të kryeministrit Kurti për t’i ulur tensionet dhe për ta normalizuar situatën në veri.

“Deri më tani, nuk kemi parë ndonjë hap të adekuat dhe të menjëhershëm nga kryeministri Kurti si të  nevojshëm për de-përshkallëzimin e situatës”, ka thënë Stano.

Zëdhënësi i BE-së ka treguar se kanë ndarë me shtetet anëtare të BE-së disa masa që do të ndërmerren nëse Kryeministri Kurti nuk merr hapa konkret për ta qetësuar situatën në veri.

“Ne ndamë me shtetet anëtare të BE-së një përmbledhje të masave që duhen marrë, nëse kryeministri Kurti nuk ndërmerr hapat adekuat dhe të menjëhershëm për të de-përshkallëzuar situatën dhe për të ulur tensionet”, ka thënë ai.

Sipas Stanos, diskutimet midis vendeve anëtare të BE-së janë në vazhdim dhe Përfaqësuesi i Lartë Borrell është në kontakt të vazhdueshëm me liderët në rajon dhe të vendeve anëtare të BE-së.

Plani i plotë i Kurtit për shtensionim të Veriut

  1. Të sigurohet/krijohet menjëherë sundimi i ligjit në 4 komunat në veri të Republikës së Kosovës, duke përfshirë ndër të tjera identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, anëtarët e NATO-s dhe gazetarët. EULEX-i është i ftuar të monitorojë drejtpërdrejt thelbin e proceseve gjyqësore të lidhura me gjykimin.
  2. Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe të ndalohet secili veprim kriminal ndaj institucioneve të Kosovës. Në bazë të parimit të proporcionalitetit, prania e forcave të Policisë së Kosovës në tri objektet komunale në veri të Kosovës, të zvogëlohet, bazuar në rrethanat.

3. Policia e Kosovës dhe KFOR-i/EULEX-i do t’i kryejnë vlerësimet e përbashkëta të sigurisë, çdo 15 ditë, në mënyrë që të garantojnë një mjedis të sigurt në sundimin e ligjit.

4. Qeveria e Republikës së Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri. Zgjedhjet e reja duhet të organizohen në një atmosferë zgjedhore të lirë, demokratike dhe të papenguar.

5.Kosova dhe Serbia të kthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. BE-ja të sigurojë një plan renditjeje të drejtë dhe të balancuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (27 shkurt) dhe Aneksit të Zbatimit të saj (18 mars). Udhëheqësit e të dy shteteve të takohen në një dialog të nivelit të lartë në Bruksel gjatë kësaj jave. Shpresoj se do të jeni në gjendje t’i përgjigjeni me optimizëm kësaj oferte sa më shpejt që të mundeni.

/TV Malisheva

Share.