Inflacioni në Bashkimin Evropian dhe në eurozonë arriti nivelin më të lartë në maj që kur Eurostat filloi publikimin e këtyre të dhënave në vitin 2001, tregoi një raport i ri.
Në nivel të Bashkimit Evropian, inflacioni në maj ishte 8,8 për qind, që është 0,7 për qind më shumë se në muajin prill, ndërsa në Eurozonë u rrit nga 7,4 në 8,1 për qind, që është më i larti që nga viti 1996. thuhet në raport.
Peshën më të madhe në inflacionin e majit e kanë pasur çmimet e energjisë me 3.87 për qind, pasuar nga çmimet e ushqimeve me peshë 1.59 për qind dhe çmimet e shërbimeve me 1.46 për qind.
Çmimet e energjisë në eurozonë në maj ishin 39.1 për qind më të larta se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa çmimet e ushqimeve u rritën me nëntë për qind.
Në maj, rritja më e madhe e çmimeve u regjistrua në vendet baltike – 20.1 për qind në Estoni, 18.5 për qind në Lituani dhe 16.8 për qind në Letoni.
Inflacion dyshifror u regjistrua në Kroaci, Bullgari, Çeki, Greqi, Hungari, Holandë, Poloni, Rumani dhe Sllovaki.
Franca dhe Malta kishin normën më të ulët të inflacionit prej 5.8 për qind në maj./TV Malisheva