Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha se institucionet evropiane janë të gatshme të bashkëpunojnë me Malin e Zi dhe të gjithë aktorët politikë për të ndihmuar vendin të qëndrojë në rrugën e tij strategjike dhe të ndërtojë një konsensus mbi veprimet prioritare që janë kyçe për procesin e pranimit të vendit në BE.

“Përqendrimi në reformat urgjente të shtetit të së drejtës, të cilat janë renditur në raportin e fundit të Komisionit Evropian për zgjerimin, janë të një rëndësie kyçe. Sigurisht, për këtë qëllim, ne vazhdojmë të mbështesim Malin e Zi në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE. Për ne, stabiliteti politik është kyç për përparimin në rrugën drejt BE-së, një proces ng ai cili përfiton si Mali i Zi, ashtu edhe Evropa në tërësi”, tha Pisnero në një konferencë shtypi në Bruksel.

Ajo konfirmoi se pret që së shpejti në Bruksel të organizohen takimet e para të nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe presidentit të sapozgjedhur, Jakov Milatoviq.

Jakov Milatoviq mori zyratisht detyrën më 20 maj, pasi mposhti Milo Gjukanoviqin, i cili mbante postet më të larta në Mal të Zi për tre dekada. Vizita e tij e parë jashtë vendit pritet të jetë në Bruksel.

Milatoviq do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet më 1 qershor në Kishinjev të Moldavisë.

Mali i Zi konsiderohet lider në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim./RTSH/

Share.