Sipas spekulimeve, Liverpooli thuhet se po e konsideron largimin e Mohamed Salah, ku gjiganti i Premier Ligës ka vendosur një çmim prej 70 milionë eurosh për yllin egjiptian.

30-vjeçari, i cili është gati të hyjë në vitin e fundit të kontratës së tij pesëvjeçare në “Anfield”, është lidhur me një largim gjatë verës pasi bisedimet për kontratën vazhdojnë të zvarriten.

Në fakt, Salah ka qenë në ‘ngërç’ me Liverpoolin për gati një vit për pagën e tij, pasi që ai po kërkon 460,000 euro në javë, një shifër kjo që do ta vendoste atë përkrah disa prej fituesve më të mëdhenj të futbollit.

Sadio Mane, i cili së fundmi iu bashkua kampionëve të Bundesligës, Bayern Munich në një marrëveshje me vlerë deri në 35 milionë funte, po ashtu kërkonte një pagë të njëjtë sikurse Salah, por që Liverpooli nuk ishte i gatshëm të thyente strukturën e tyre të pagave.

Virgil van Dijk është fituesi më i lartë në klub. Qendërmbrojtësi holandez besohet të jetë me pagë 270,000 euro në javë te gjiganti anglez.

Edhe pse Liverpoolit do t’i pëlqente që Salah të qëndronte, klubi nuk është i gatshëm ta thyejë strukturën në paga, që do të thotë se ai mund të ndjekë Sadio Mane jashtë derës nëse bisedimet për kontratën vazhdojnë të ngecin.

Po ashtu, thuhet se pronarët e klubit, FSG, do të konsiderojnë largimin e sulmuesit egjiptian nëse marrin një ofertë prej 70 milionë funtesh.

/TV Malisheva

Share.