Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se Kosova ka dëshmuar në 15 vjet shtet se është faktor paqeje dhe stabiliteti në Evropën Juglindore. Në pritjen për përvjetorin e pavarësisë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, presidenti shqiptar u shpreh se partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet thelluar më tej në dobi të kombit.

Ai gjithashtu përmendi edhe situatën e fundvitit të kalur në veri duke shtuar se ka ardhur koha për një marrëveshje gjithpërfshirëse me njohje të ndërsjellë.

Begaj, gjatë fjalës së tij, u shpreh se Kosova, si shtet i lirë dhe i pavarur është përmbushja e amanetit të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit.

Begaj: Kosova, faktor paqeje dhe stabiliteti

“Republika e Kosovës, një shtet sovran dhe i pavarur, ka demonstruar me fakte, pjekurinë dhe maturinë në qëndrimet e saj. Në këto 15 vite, Kosova ia ka dalë më së miri të respektojë e të nderojë zotimin që i bëri botës, përmes firmëtarëve të pavarësisë, se ishte dhe do të jetë një faktor për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore”, deklaroi Begaj.

Kreu i shtetit shqiptar tha se lidhja vëllazërore e Shqipërisë me Kosovën është e natyrshme. Ai tha se jemi një komb i ndarë në dy shtete, ndaj humbjet dhe fitoret, dhimbjet dhe sukseset, i kemi të përbashkëta.

Begaj: Shqipëria mbështet Kosovën

“Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës, në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe do të intensifikojë maksimalisht përpjekjet për njohjet e mëtejshme të pavarësisë legjitime të saj. Partneriteti ynë strategjik duhet thelluar edhe më tej, në dobi të shteteve tona, të kombit tonë. Mbështetja e pakursyer nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ne dhe për të gjithë Ballkanin, është një garanci sa politike po aq dhe gjeografike se e ardhmja e vendeve të rajonit nuk është ajo e luftërave dhe ndasive, por e dialogut dhe bashkëpunimit”, vijoi Begaj.

Begaj u shpreh se aplikimi i Kosovës në procesin për anëtarësim në BE si dhe kalimi i propozimit për liberalizimin e vizave, riforcuan bindjen se e ardhmja e kombit shqiptar do të jetë ajo e të qenurit bashkë në familjen e madhe evropiane.

Sipas tij, agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe tentativat për ta shtrirë konfliktin edhe në rajonin e Ballkanit, e ritheksojnë rëndësinë që faktori shqiptar në Ballkan duhet të jetë i njëhsuar në qëndrimet e tij.

Ai përmendi edhe situatën me barrikadat në veri të vendit gjatë fundvitit të kaluar dhe nevojën për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjellë.

Begaj: Situata në veri dëshmoi se s’kemi kohë për të humbur

“Situata e krijuar së fundmi gjatë provokimeve të rënda në veri të Kosovës, ishte një tregues i qartë se nuk kemi me kohë për të humbur. Shqipëria mbështet dhe vlerëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e palëkundur të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të duhet të fokusohet tek njohja e ndërsjelltë dhe respektimi i minoriteteve”, deklaroi Begaj.

Begaj shtoi se në këto 15 vite, Shqipëria ka parë me krenari lindjen dhe rritjen e shtetit të Kosovës. Prandaj, tha se është i bindur se dhe në vitet në vijim, Shqipëria do të shohë me po aq krenari rrugëtimin euroatlantik të shtetit të Kosovës.

Share.