Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, zhvilloi një takim dypalësh me homologun e tij, Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviç.
Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe të partneritetit strategjik midis dy vendeve, duke nënvizuar se kjo marrëdhënie e shëndoshë e miqësore, e cila sapo kremtoi 30-vjetorin e vendosje së marrëdhënieve diplomatike, është gjithashtu në interesin më të mirë të rajonit.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe donacionet kroate për përballimin e dëmeve të tërmetit të nëntorit 2019, si dhe për vaksinimin e popullsisë gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.
Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu traditën mikpritëse kroate për shqiptarët, si dhe hapësirat dhe mbështetjen që i është dhënë, si komunitetit të vjetër shqiptar të Arbanasve, ashtu edhe atyre të rinj, për të ruajtur traditat, kulturën e gjuhën amtare, por edhe për t’u integruar sa më mirë në jetën sociale e politike të Kroacisë.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu në zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale në Bosnje-Hercegovinë, dialogun Kosovë-Serbi, si dhe procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor./atsh/
/TV Malisheva