Pas shpërthimeve të së martës, në Bejrut tashmë kanë “shpërthyer” protestat antiqeveritare.

Protestuesit që dolën rrugëve ku ende ka gjurmë të tragjedisë së kësaj jave u përleshën me forcat libaneze të sigurisë.

Oficerët përdorën gazin lotsjellës ndaj dhjetëra njerëz që u grumbulluan pranë parlamentit.

Demonstruesit janë të zemëruar nga shpërthimi shkatërrues i së martës, për të cilin zyrtarët thonë se u shkaktua nga 2,750 ton nitrat amoniumi të ruajtur në mënyrë të pa sigurtë që nga viti 2013.

Janë të shumtë në Liban që thonë se pakujdesia e qeverisë çoi në shpërthim, i cili vrau të paktën 137 njerëz dhe plagosi rreth 5000 të tjerë.

Që nga tragjedia dy zyrtarë kanë dhënë dorëheqjen. Deputeti Marwan Hamadeh u dorëhoq të mërkurën, ndërsa ambasadori i Libanit në Jordan, Tracy Chamoun dha dorëheqje të enjten, duke thënë se katastrofa tregoi nevojën për një ndryshim në udhëheqje.

Agjencia shtetërore e lajmeve thotë se 16 persona janë arrestuar si pjesë e një hetimi të shpallur nga qeveria këtë javë.

Një peticion për të vendosur Libanin nën kontrollin e Francës ka mbledhur më shumë se 50 mijë firma brenda 24 orëve. Presidenti francez Emmanuel Macron mbërriti në Bejrut gjatë së enjtes për të treguar mbështetjen e Francës për ish-koloninë e saj pas shpërthimit të fuqishëm e shkatërrimtar në Bejrut.

“Qëkur u largua Franca, vendi ka pësuar vetëm rënie, me luftë civile dhe krizë ekonomike, politike dhe kufitare”, tha një prej nënshkruesve të këtij peticioni për mediat./Tv Malisheva

Share.