Sali Berisha, në konferencën për mediat, këtë të premte, foli edhe për zgjedhjen e presidentit të ri shqiptar, ku ditën e shtunë do të mbahet në kuvend raundi i katërt për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Berisha tha se mazhoranca duhet të kishte lejuar opozitën që të propozonte presidentin e ri.
Ai theksoi se nga e shtuna, Rama do të kapë edhe institucionin e Presidentit të Republikës dhe sipas tij, do të jetë Lukashenko i ri në Europë.
“Nuk i njohim të drejtë legjitime Ramës të propozojë Presidentin duke pasur parasysh batërdinë zgjedhore, me armatën patronazhiste, me përdorimin e Dumanëve, bandave dhe sasive kolosale të parave të krimit. Ne kemi bindjen se rrugëzgjidhja e vetme do të ishte një president i propozuar nga opozita. Në vend të kësaj që është ndjekur në rastet analoge në Shqipëri, zgjodhi lojën me kukulla dhe pseudoopozitë. Një lojë që mund të quhet si një shpifësirë politike e neveritshme. Rama, nesër do të quhet në mbarë Evropën Alexander Lukashenko. Me marrjen e Presidencës, ai shkon në pushtet absolut. Kjo është një detyrë urgjente e opozitës së vërtetë që t’i japin Ramës përgjigje”, tha Berisha.
Ndërkohë, një nga kandidaturat e mundshme të përfolura gjatë ditëve të fundit është edhe ajo e Ardian Dvoranit, ish-kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Berisha u shpreh se Dvorani është simboli i korrupsionit në drejtësi.
Ndërkohë, ai theksoi se opozita do të marrë pjesë ditën e shtunë në seancë, por do të votojë kundër kandidaturës së propozuar për president nga mazhoranca, shkruan A2Cnn.