Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Malishevës, Kastriot Berisha, ka bërë një sqarim publik lidhur me intervistën e mbrëmshme, raporton TV Malisheva.
Berisha përmes faqes së tij në Facebook, ka shpjeguar se deklarata; “lexon lektyrat”, është keqkuptuar qëllimisht nga kundërshtarët e tij politik, dhe nga ata që nuk njohin mirë historinë e familjes së tij.
Kandidati i AAK-së thekson se lektyrat dhe librat i ka të trashëguara nga babai i tij, dëshmori i kombit, Hamdi Berisha, përcjell TV Malisheva.
Shkrimi i Berishës:
Lektyrat dhe babai im…
Një paraqitje imja televizive në Klan Kosova në emisionin “Edicioni Zgjedhor” është keqkuptuar qëllimisht nga kundërshtarët politik dhe nga ata që nuk njohin mirë historinë e familjes time.
Kam fatin që rrugëtimin tim politik ta kem të hapur falë babait tim, heroit të kombit Hamdi Berisha, që e njeh e gjithë Kosova, veçanërisht qytetarët e komunës së Malishevës, pasi edhe shkolla e mesme në qytetin tonë mban emrin Hamdi Berisha.
Babi im ishte profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe kur la ditarin për t’iu bashkuar luftës së drejtë për çlirim, ku ra heroikisht në Epopenë e Rahovecit më 19 korrik të vitit 1998.
Atë koha isha vetëm 15 vjeçar dhe dhimbja ishte e madhe. Vazhdon të jetë edhe sot.
Gjithçka që pata nga vepra e babait ishte biblioteka e tij me lektyra e libra të zhanreve të ndryshme prej romaneve e deri te librat e shkencave politike dhe filozofike, që mbajnë nënshkrimin e babait tim.
Kur në emision u pyeta si e kaloj kohën e lirë, fjalën e kam pasur për lektyrat që mbajnë nënshkrimin e babait tim, ashtu sikurse e gjithë biblioteka dhe të tjera kujtime që mi ka lënë pas nga koha kur ishte profesor dhe ushtar i lirisë.
Komentet fyese mund t’i bëni për këdo tjetër, por jo me historinë e familjes time që i dha shumë këtij vendi para, gjatë dhe pas luftës.
Këtë e di e gjithë Malisheva. E gjithë Kosova!
Edhe unë personalisht aftësitë e mia i kam treguar në skenën politike dhe biznesore, andaj nuk kam çka të dëshmohem para askujt.
Përndryshe jam i vetmi kandidat për kryetar të Malishevës që solli në atë emision program të detajuar, i hapur për publikun dhe i digjitalizuar, program me Besën për 15 Zotime konkrete – MalishevaQeDuam.com /TV Malisheva