Para selisë së Partisë Demokratike në Tiranë sot do të mbahet një protestë e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Nëse javë më parë ftoi protestë kundër vizitës së presidentit serb Aleksandër Vuçiq në Tiranë, kësaj radhe është kundër Lulzim Bashës.
Ish-kryeministri ka deklaruar disa javë më parë se data 8 janar do të jetë një protestë e fuqishme kombëtare ku 44 mijë anëtarë të PD-së që firmosen të bëjnë historinë do të marrin në dorëzim ndërtesën e Partisë Demokratike.
“Vendimi s’ka apelim. Do vijnë në Tiranë te selia për të shpëtuar pluralizmin. Vetëm Edi Rama e mban”, kishte deklaruar Berisha.
Berisha dhe komisioni i Rimethemelit të PD-së kishin lënë datën 5 janar si afatin e fundit ndaj kryedemokratit Lulzim Basha që të dorëzojë detyrën.
Partia Demokratike kishte reaguar menjëherë pas publikimit të datës së protestës nga ish-kryeministri Berisha, duke deklaruar se kasafortizimi dhe bunkerizimi nuk janë metoda të kësaj partie, por të celulave ilegale që të vetmin merak kanë karriget dhe zyrat e tyre.
Në reagimin e saj, PD deklaron se nuk do të jetë kurrë e hapur për trafikantët e drogës që shoqërojnë Sali Berishën në sulmin që po përgatit kundër Partisë Demokratike për të vendosur hallin e tij mbi të ardhmen e gjithë demokratëve. Sipas selisë blu çdokush e ka të qartë se gjuha dhe aktet e Berishës kanë qëllim të nxisin dhunë, si opsionin e vetëm që i ka mbetur./TV Malisheva