Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka pretenduar se prej që ka ardhur në pushtet kryeministri Albin Kurti, 11 për qind e serbëve të Kosovës e kanë braktisur vendin.

Sipas saj kjo ka ndodhur si pasojë e “fushatës sistematike dhe të dhunës ndaj serbëve”, që ajo ka thënë se ushtrohet nga institucionet e Kosovës.

Bërnabiq në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku po diskutohet për Kosovën e ka akuzuar Prishtinën për fushatë të spastrimit etnik të serbëve.

Situata në dy vitet e fundit, sidomos në 12 muajt e fundit është bërë aq e rëndë sa që ne të gjithë duhet të përpiqemi ta kuptojmë jo si politikanë, por si qenie njerëzore se çfarë po ndodhë”, është shprehur Bërnabiq, derisa Kosovës i është referuar si “krahinë autonome e Republikë së Serbisë”.

Ajo ka thënë se zyrtarët në Prishtinë, kanë vetëm tri mesazhe kyçe për serbët dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Mesazhi i parë që institucionet e Kosovës kanë për serbët që janë larguar nga Kosova, sipas Bërnabiqit, është “mos u ktheni sepse nuk jeni të mirëpritur”.

/TV Malisheva

Share.