Sipas Institutit për Studime të Luftës (ISW), në javët e fundit Moska ka sjellë përforcime në rajonin e Donbas-it të përbërë nga njësi të reja nga Rusia, si dhe trupa të tërhequra nga Ukraina verilindore që tashmë kanë pësuar humbje atje.
Zyrtarët amerikanë thonë se Rusia tani ka 76 grupe luftarake në lindje të vendit, duke përfshirë 11 që kanë mbërritur atje ditët e fundit. Secili prej tyre ka nga 700 deri në 900 ushtarë, së bashku me pajisje ushtarake, shkruan BBC.
Me fjalë të tjera, sipas burimeve ukrainase, në Donbas janë rreth 70 mijë ushtarë rusë. BBC citon ekspertin ushtarak rus Aglaya Snetkov të ketë thënë se Rusia ka edhe 22 grupe luftarake të stacionuara rreth qytetit të Mariupolit.
Nëse ai qytet kyç bie, forcat ruse që e rrethojnë atë mund të lëvizin më në veri dhe të bashkohen me frontin e Donbasit. “Mund të jetë e rëndësishme, por jo domosdoshmërisht vendimtare,” tha Snetkov.
Ndërsa për palën ruse kemi vlerësime të shërbimeve inteligjente të vendeve perëndimore dhe burime nga Ukraina dhe vetë Rusia, shumë më pak dihet për madhësinë dhe humbjet e trupave ukrainase, thotë Snetkov.
Kjo duket se është pjesërisht për shkak se vetë Ukraina nuk dëshiron që këto informacione të bëhen publike në mënyrë që armiku të mos e përdorë atë, dhe shërbimet e inteligjencës në Perëndim po ndjekin një marrëveshje të pashkruar për të mos dalë publike me shifra të tilla.
Në fillim të luftës, Ukraina kishte 10 brigada të ushtrisë tokësore të stacionuara në lindje të vendit, të cilat konsiderohen si njësitë më të pajisura dhe më të trajnuara që ka në dispozicion Ukraina.
Ukrainasit kanë mjaft njerëz, por u mungojnë mjetet ushtarake, ndërsa rusët kanë mjaft pajisje – por u mungojnë njerëzit, veçanërisht nëse kemi parasysh se zakonisht mendohet se pala sulmuese duhet të jetë numerikisht më e fortë, thotë Snetkov.
Luftimet në lindje ka të ngjarë të jenë të ndryshme nga betejat e mëparshme rreth Kievit dhe pritet të jenë më shumë si një luftë konvencionale e Luftës së Dytë Botërore, e cila përfshin luftë llogore dhe armë të rënda si tanke.
Ushtria ruse mund të bëjë disa përfitime territoriale për shkak të përqendrimit më të lartë të artilerisë dhe numrit të trupave, por një sukses i madh në përmasa dramatike nuk ka shumë të ngjarë, thonë analistët e ISW.