Kryetari i ri i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati nga sot ka marrë edhe zyrtarisht këtë detyrë, raporton TV Malisheva.

Kastrati gjatë seancës inauguruese është zotuar se do të bashkëqeverisë me qytetarët për jetësimin e vizionit për “Malishevën Urbane”.

Në Kuvendin Komunal të Malishevës kanë bërë betimin edhe asamblistët e rinj të kësaj komune, të cilët së bashku me kryetarin Kastrati kanë dhënë betimin dhe ligjërisht i kanë marrë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre për mandatin katër vjeçar.

http://LINKU

Në vazhdim fjalimi i kryetarit Kastrati, me rastin e dhënies së betimit:

Fillimisht, dua të falënderoj nga zemra gjithë qytetarët tanë, që jetojnë e veprojnë anekënd Malishevës dhe më tej, për kulturën e pjekurinë e lartë politike që kanë treguar gjatë procesit të fundit zgjedhor, duke e kthyer kështu qytetin tonë në një shembull që di t’i kontribuoj forcimit të demokracisë.

Të dashur qytetarë të Malishevës,

Kjo ditë është shumë e veçantë për mua, dhe shumë e rëndësishme për Komunën e Malishevës, për përfaqësuesit e zgjedhur dhe gjithë qytetarët tanë, sepse nga sot edhe zyrtarisht po e fillojmë së zbatuari një përgjegjësi shumë të madhe që ju ma keni besuar, e për të cilën  ju falënderoj dhe u jam jashtëzakonisht mirënjohës që më keni përkrahur përmes të drejtës tuaj të garantuar me ligj.

Sot, si rrallë herë po ndihem krenar e me vullnet të madh, që gjithë atë besim e vlerësim që me keni dhënë, po filloj t’ua kthej me punë te mira e të ndershme, në mënyrë që gjithë këtë krenari që kam unë sot, ta trasoj nesër tek ju qytetarë të dashur të Malishevës.

Asnjëherë në jetën time, kudo që kam shërbyer, pozitat shtetërore nuk i kam parë si privilegj, por si përgjegjësi e detyra të shenjta, dhe mbi të gjitha, si mundësi të arta që sado pak ta ndihmojmë shoqërinë, ta zhvillojmë vendin e ta bëjmë krenar atdheun.

Qytetarë të dashur,

Besimi që na keni dhënë për ne ka vlerë të madhe. Ju na keni vlerësuar, ju e keni konfirmuar punën e mirë të qeverisjes tonë, dhe ne sigurisht që me një dinamikë edhe më të madhe do të vazhdojmë të punojmë e të realizojmë shumë projekte të mira, të cilat edhe ju i prisni.

Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni që të ritheksoj edhe një herë, ashtu siç e kam thënë mjaftueshëm prej që e kam nisur këtë rrugëtim politik: Fokusi im është zhvillimi i Malishevës Urbane dhe qëllimi im është që qytetarët e Komunës së Malishevës të kenë trajtim të barabartë në marrjen e shërbimeve që meritojnë.

Si një ithtar i parimit të bashkëvendimmarrjes me qytetarët, ju premtoj se pavarësisht sfidave që mund të kemi gjatë këtij rrugëtimi qeverisës që sot po e nisim, ne, për asnjë moment nuk do të ndalemi deri në jetësimin e vizionit tonë për Malishevën Urbane.

Një qeverisje e mirë dhe e suksesshme është vetëm ajo që bashkëvepron me qytetarët, i harton politikat bashkë me komunitetin, dhe ashtu siç i nis edhe i përfundon projektet në koordinim të plotë me ta, dhe për ta bërë këtë synim realitet, unë bashkë me trupën qeverisëse për asnjë moment nuk do t’i shmangemi kësaj rruge.

Unë dua që qytetarët tanë të bëhen pjesë e punës sonë të përditshme, por para se gjithash, ata kanë nevojë për më shumë lehtësira në marrjen e shërbimeve administrative dhe jo vetëm, sepse koha është shumë e vlefshme dhe burokracia e panevojshme.

Të dashur qytetarë të Malishevës, të nderuar të pranishëm, asamblistë të respektuar,

Çdo punë e mirë e qeverisjes Begaj është duartrokitur si sukses, vlerësimi qytetar që kemi marrë ka treguar qartë se në këto 8 vite është punuar e Malisheva është zhvilluar, por kjo nuk duhet të na bëj komod, përkundrazi ne duhet të punojmë edhe më fort,  që t’i vazhdojmë projektet që janë në proces, në mënyrë që më pas Malishevën ta çojmë në një stad tjetër të zhvillimit e përparimit, deri në urbanizimin e plotë të saj, për çka edhe shoqëria jonë e pret me padurim.

Të dashur asamblistë të pranishëm,

Jam i sigurt që me të gjithë ju do të jem shumë bashkëpunues, si të barabartë që jeni, cdo herë do të keni trajtimin, respektin e konsideratën time të plotë, pavarësisht bindjeve politike, sepse unë besoj fuqishëm që pa shmangshëm, të gjithë ne bashkë e kemi për synim kryesor zhvillimin e Malishevës dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve.

Të dashur qytetarë,

Programi zgjedhor të cilin e kam prezantuar nga do që kam shkuar e me këdo që jam takuar, do të jetë një pikë e fuqishme referuese mbi të cilin do ta ndërtojmë edhe programin tonë qeverisës për katër vitet e ardhshme, por sigurisht duke e pasuruar edhe me prioritete tjera të rëndësishme, që me kohë mund të marrim nga qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre në Asamblenë Komunale.

Ju siguroj, se për gjatë katër viteve të ardhshme, qeverisja jonë do të jetë transparente dhe do të funksionojë mbi bazën e respektimit të ligjeve në fuqi.

Dhe për fund, Edhe njëherë, më lejoni që nga zemra të falënderoj gjithë qytetarët e Malishevës që më kanë besuar këtë përgjegjësi që po e nisi sot, dhe me emër të Zotit ketë besim e vlerësim do mundohem maksimalisht që t’ua kthej me punë dhe me qeverisje të mirë e transparente.

 

Faleminderit shumë!

 

Share.