Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme për paqen dhe rrugën drejt BE-së, kështu ka thënë sot kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel.
Bettel theksoi sot se ishte e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina të vazhdojnë bisedimet dhe të arrijnë një kompromis, duke përmendur se marrëveshja e të dy palëve ishte e rëndësishme për paqen dhe rrugën e tyre drejt BE-së.
Në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministren serbe Ana Brnabiq, Bettel tha se Serbia dhe Ballkani luajnë një rol kryesor në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në kontinent, për të cilin ai tha se nuk duhet të merret si e mirëqenë, shkruan Tanjug, përcjell lajmi.net.
“Marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është e rëndësishme për qytetarët e të dy vendeve. Është e rëndësishme të vazhdoni rrugën drejt BE-së dhe të siguroni paqen për vendet tuaja, dhe të arrini një kompromis në mënyrë që të afroheni më shumë me njëri-tjetrin,” theksoi Bettel.
Bettel deklaroi se mosmarrëveshjet midis vendeve në Ballkan duhet të tejkalohen, edhe nëse historia, është pjesë e “ADN-së së tyre”.