Pandemia koronavirus ka ndikuar në një mënyrë apo tjetër edhe tek yjet e ekipit kombëtar të Kosovës, të cilëve iu ka rënë dukshëm vlera në tregun e transferimeve si pasojë e krizës financiare të shkaktuar nga virusi.
Sipas Transfermarkt, uebsajtit gjerman për të dhënat e futbollistëve, dy futbollistët më të vlefshëm të Kosovës, Milot Rashica i Werder Bremenit dhe Vedat Muriqi i Fenerbahces kushtojnë më pak seç vlenin para përhapjes së Covid-19.
Sporti pothuajse në çdo vend të botës është pezulluar për kohë të papërcaktuar që prej muajit të kaluar kur u përhap kjo sëmundje në Evropë dhe nuk është e qartë nëse apo kur sezoni 2019/20 do të rinisë.
Mbi 1.5 milionë njerëz në gjithë botën janë prekur nga koronavirusi, ndërsa më shumë se 88.000 të tjerë kanë vdekur si pasojë. Në Kosovë 244 persona janë infektuar me Covid-19, prej të cilëve 6 kanë vdekur.
Por koronavirusi ka shkaktuar krizë të paparë financiare edhe në futboll, për shkak të ndaljes së sportit, përfshirë në vlerën e futbollistëve.
Lojtarit më të vlefshëm të Kombëtares dardane, Rashicës, për shembull, i ka rënë vlera nga 35 milionë euro në 28 sosh, sipas Transfermarkt. Anësori i lindur në Vushtrri pritet të largohet nga Werder Bremeni në verë, pasi kërkohet nga klube të shumta nga e gjithë Evropa, por klubi nga Bundesliga nuk pritet të përfitojë nga shitja e tij aq sa kishte menduar para një muaji.
Edhe Muriqi, një tjetër lojtari i Kosovës i shumëkërkuar në Evropë, do të kushtojë më pak seç vlerësohej para një muaji.
Sulmuesi i Fenerbahces, i cili kërkohet ne Serie A dhe Premierligë, tani kushton 9.5 milionë euro, sipas Transfermarkt. 25-vjeçari vlerësohej se kushtonte 20 milionë euro të paktën para krizës së koronavirusit.
Edhe kapiteni verdhekaltër, Amir Rrahmani, i cili në qershor do t’i bashkohet Napolit nga Hellas Verona, pasi kjo e para i pagoi 9.5 milionë euro për të, tani vlerësohet më pak.
Ai vlerësohej 12 milionë euro para krizës financiare të shkaktuar nga Covid-19. /Tv Malisheva