Gjykata Kushtetuese këtë javë u dha epilog disa prej betejave juridike ndërmjet opozitës dhe pushtetit pranë këtij institucioni. Dhe ky bilanc kësaj here ishte më pozitiv për pushtetin se sa për pretendimet e opozitës.

Fillimisht Gjykata Kushtetuese vendosi lidhur me kërkesën KO 160/23, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, të parashtruar nga Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.

Me këtë rast, kjo gjykatë vendosi njëzëri që ta deklaronte kërkesën të papranueshme për shqyrtim në merita, sepse e njëjta nuk është “ratione materiale” në pajtim me Kushtetutën. Kështu ankesa e PDK-së u hodh poshtë.

Mirëpo, sipas përfaqësuesit juridik të kësaj partie Avokatit Faton Fetahu, ky verdikt i Gjykatës Kushtetuese, krijon asi implikime juridike dhe politike ku “vendimet e Kryetarit dhe/apo Kryesisë janë jashtë juridiksionit kushtetues dhe për rrjedhojë, të njëjtat as nuk mund të kontestohen në Gjykatën Kushtetuese apo në gjykatat e rregullta (përveç kur krijojnë, ndryshojnë apo shuajnë një të drejtë individuale).”

Megjithatë vazhdon avokati Fetahu, “në kuadër të gjetjeve të gjykatës është nënvizuar edhe njëherë fakti se: seancat e Kuvendit thirren nga Kryetari i Kuvendit; dhe se rendi i ditës së seancave të Kuvendit caktohet nga Kryetari i Kuvendit dhe i njëjti diskutohet në Kryesinë e Kuvendit dhe konsiderohet i miratuar, përveç kur nuk ka konsensus, duhet t’i paraqitet seancës plenare për miratim”.

Ndërkohë, pa kaluar mirë as 24 orë, përsëri Gjykata Kushtetuese vendosi edhe për një rast tjetër të ngritur nga Komuna e Prizrenit kundër vendimit të qeverisë për faljen e tatimit në pronë.

Sipas komunikatës për media kjo gjykatë e njoftonte opinionin se ka marrë “vendim lidhur me rastin KO 177/23, për vlerësimin e kushtetueshmërisë së nenit 5 të Ligjit nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, i cili ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023. Kështu, organi më i lartë kushtetues në vend ka deklaruar se Ligji i kontestuar, (i) përcakton bazën ligjore sipas të cilës mund të falet tatimi në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, duke saktësuar lartësinë maksimale të faljes së këtij tatimi dhe afatin përkatës kohor brenda të cilit mund të merret vendimi për faljen e tatimit në pronën e paluajtshme”.

Po ashtu, kompetencën për këtë vendimmarrje e kanë kuvendet komunale. Ndërkohë, Ligji i kontestuar nuk i detyron kuvendet komunale përkatëse, por saktëson bazën ligjore sipas të cilës u mundëson të njëjtave për të vendosur përkitazi me faljen e tatimit në pronën e paluajtshme sipas përcaktimeve të Ligjit të kontestua” .

Menjëherë pas kumtimit të këtij lajmi, kishte reaguar Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Ai në mënyrë triumfaliste deklaroi se më në fund u vërtetua se “të gjitha kritikat e akuzat ndaj Qeverisë për këtë temë kanë qenë të pabaza dhe kjo gjë u dëshmua edhe tani. Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se opozita synim të vetëm e ka bllokimin e shtetit, qoftë edhe në kurriz të qytetarëve. Qytetarët do ta mbajnë mend këtë”.

Ndërkohë, sipas avokatit Faton Fetahu, si i autorizuar për ta përfaqësuar Komunën e Prizrenit në Gjykatën Kushtetuese, “as Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u vlerësua se Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (në lidhje me faljen e tatimit në pronë) nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, nuk e zvogëlon mashtrimin e madh të një qeverie të tërë, që meritat për falje i kishte përvetësuar, e detyrimin për pagesën e tatimit ua la në barrë komunave”.

Ndërkaq, dje Gjykata Kushtetuese i dha epilog edhe një çështjeje tjetër kontestuese ndërmjet pushtetit  dhe opozitës, asaj për ankesën e LDK-së kundër Ligjit të Qeverisë për caktimin e çmimeve. Institucioni më i lartë juridik dhe kushtetues në Republikën e Kosovës kishte vendosur ta konsideronte të pranuar, kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të Destabilizimit në Treg. Dhe me këtë vendim e rrëzoi Ligjin e Qeverisë.

Mirëpo, në dallim nga dy herët e tjera, në këtë rast askush nga pushteti nuk u prononcua për këtë disfatë juridike. Kurse, LDK e përshëndeti këtë vendim.

Lideri i kësaj partie me anë të një statusi në FB e tij personal deklaroi se “Siç edhe pritej, siç edhe kishim thënë gjithherë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi poshtë EDHE NJË LIGJ, në gjithë tërësinë e tij, të qeverisë më antikushtetuese që ka pasur Kosova ndonjëherë. Duke e cilësuar ‘ligjin për çmimet tavan’ si ligj në kundërshtim me vlerat bazike të lirisë ekonomike të Republikës, kjo gjykatë shpërfaqi jo vetëm paaftësinë e kësaj qeverie, por edhe tendencat e tyre që me vetëdije të shkelin Kushtetutën. Kryeministri e ministrat rend mburreshin me këtë ligj. Kryeministri e ministrat mburreshin me paditurinë. Ju thoshim se s’bën, nuk kuptuan. Ju treguam si të bëhet, nuk dëgjuan. Ju thoshim se do të rrëzohet, u rrëzua. Tani nuk di cila është më e rëndë; paaftësia apo shkelja kushtetuese? Apo lënia e qytetarëve pa politikë adekuate e kushtetuese tash e dymbëdhjetë muaj. Çfarë mend kanë, do të ankohen- sikurse deri më tani- se si një ligj antikushtetues nuk zë vend. Merreni me mend, një kryeministër që ankohet se nuk po e lënë ta shkelë Kushtetutën. Sepse për ta, Republika është në shërbim të tyre. Për ne, Lidhjen Demokratike, Republika mbetet mbi të gjitha”.

Kështu, kjo javë përfundoi dy me një në favor të pushtetit sa i përket fitoreve në Gjykatën Kushtetuese. Ndonëse, në tërësi këtë të fundit e ka karakterizuar një seri e shkeljeve të vazhdueshme të aktit më të lartë juridik. Çfarë ka ndikuar që shpeshherë të kritikohet se për shkak të ngarkesave ideologjike nuk ka respekt për parimet kushtetuese dhe demokratike.

/TV Malisheva

Share.