Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, gjatë seancës së Kuvendit ka folur për Raportin Komisionit Evropian për Kosovën.
Ai tha se mobilizimi i Qeverisë për ta kapur hapin në procesin e integrimit evropian, pas stagnimit, sipas tij, disa vjeçar po i jep frytet e veta.
Bislimi tha se angazhimi i qeverisë në rrugën drejt BE-së është gjithnjë e më i madh, e për këtë tha se qeveria e mbështet planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, teksa shtoi se masat e vendosura nga BE-ja janë të rëndësishme që të hiqen sa më shpejt nga Komisioni Evropian.
“Raporti i fundit i publikuar më 8 nëntor përfshin zhvillimet nga muaji korrik i vitit të kaluar deri në qershor të këtij viti, por në qoftë se ka pasur zhvillime substanciale pas kësaj periudhe, ato janë përfshirë”.
“Është raporti i parë pas aplikimit tonë për anëtarësim në BE dhe pas vendimit për liberalizim të vizave nga 1 janari i vitit 2024, dy fakte këto që përmenden në raport”.
“Masat e Komisionit Evropian karshi Kosovës janë ende në fuqi dhe besojmë që ka një mundësi që prezenca e këtyre masave ka pasur ndikim edhe në vlerësimin ndaj Kosovës. Masat që janë në fuqi bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe me iniciativat e fundit”.
“Kosova ka bërë hapat e duhur, prandaj është shumë e rëndësishme që sa më shpejt t’i tërheqë këto masa që janë të kthyeshme dhe pa pasoja, në mënyrë që fokusi të kthehet në avancimin e integrimit evropian të vendit tonë”, tha Bislimi.
/TV Malisheva