Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi deklaroi sot se akuzat ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj janë konstrukt artificial nga subjektet politike në vend që po synojnë poena politikë.
Sipas tij, ndaj ambasadorit Berishaj nuk ka asnjë proces gjyqësor, prandaj konsideron si të turpshëm faktin që zvarritet emri i Berishaj, të cilit zëvendëskryeministri Bislimi i drejtohet si “intelektual i shquar”.
Këto komente Bislimi i bëri gjatë raportimit për Komisionin për Integrime Evropiane, me ç’rast theksoi si suksese procesin e liberalizimit të vizave, pranimin e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ai u shpreh se punuan me vendet hezituese për procesin e liberalizimit të vizave, derisa u shpreh se edhe raporti për vendin i BE-së ka konstatuar se qeveria Kurti ka përkushtimin në luftimin e korrupsionit.
“Rasti i Martin Berishaj është konstrukt artificial nga subjektet politike në Kosovë nuk ka asnjë proces gjyqësor të nisur ndaj tij, është e paturpshme se si zvarritet emri i një intelektuali të shquar si Martin Berishaj me shpresë se mund të nxirret ndonjë benificion politik, apo përfitim politik. Sikur zotëri Berishaj të kishte prapa vetes ndonjë dënim mund të flisnim, por të gjitha këto janë spekulime dhe të dokumentuara qartë se nuk ka asgjë të vërtetë në to, por ju mund të vazhdoni nëse mendoni se kjo iu sjell ndonjë poenë politik”, tha ai.
Këtë deklarim zëvendëskryeministri Bislimi e dha pas komenteve të bëra nga kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, e cila u shpreh se rasti ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është një mega skandal që vazhdon ende ta përfaqësojë Kosovën.
“Raporti i DASH-it e cek më së miri se çfarë krimi dhe korrupsioni ka..aty përmendet që qeveria nuk ka pas aspak transparencë, përmendet dhuna e rasti i Astrit Deharit, a po më tregoni mu se çka cili ka qenë ai kriter që e keni plotësuar. Nëse flisni për krimin dhe korrupsionin e keni parë e keni rastin konkret që sot ta përfaqëson shtetin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj e ki rastin e KEK çfarë krimi dhe korrupsioni keni luftuar deri tani”, theksoi ajo.
E ashpër ishte edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila tha se liberalizimi i vizave nuk është meritë e kësaj qeverie, ndërsa theksoi se për luftimin e korrupsionit flasin më së miri arrestimet e skandalet në KEK, por edhe emërimet në borde të ndërmarrjeve publike.
“Nuk është mëritë e asnjë qeverie, e aq më pak e kësaj qeveri të fundit, e cila ka qenë shkurt në pushtet dhe nuk i ka rënë hise që të angazhohet që ky proces të përmbyllet….Rastet e fundit jo vetëm të zotërit Berishaj, por shih edhe rastet e fundit në KEK dhe arrestimet e fundit në KEK, ku ne kemi përballje të rëndë të institucioneve të Kosovës me korrupsion dhe çka është edhe më e rëndë kemi një përpjekje të qeverisë që të gjykojë institucionet e drejtësisë, prokurorinë e gjykatat….Qeveria bënë përpjekje që të minojë demokracinë t’i sulmojë institucionet e pavarura e përmendet medium publik ne i dimë interferimet e fundit e dimë kush është sot drejtori në RTK, kush është në bordet e ndërmarrjeve publike nuk mund të marrim pafundësisht merita se këto institucionet janë sot në pozitë të mirë“, u shpreh ajo.
Derisa theksoi se në Kosovë ka nevojë për shtim të përpjekjeve për luftim të korrupsionit, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi tha se mëkati i kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi është se ka ngritur profitin e kësaj ndërmarrjeje publike.
“Ne mendojmë se ka shumë korrupsion në KEK edhe jemi të vetëdijshëm që diku 30 raste të tilla janë deponuar në Prokurori nga ana e menaxhmentit të KEK, por ja që nuk ka interes politik të një institucion që është politik se si është KPK e nuk merret me këto raste. Por, ka interes të merret vetëm me rastin e menaxherit, i cili nga një kompani që ka prodhuar me humbje e ka sjell kompaninë 107 milionë euro profit ky ka qenë mëkati i Nagip Krasniqit për të cilin është dashur e u arrestua. Si ka mundësi që një kompani publike të gjenerojë 107 milionë euro dhe asnjë të mos përfundojnë në xhepat e politikanëve ky është problem i madh, prandaj ai duhet të arrestohet në mënyrë që të vijë dikush tjetër pas tij, i cili e ndryshon mënyrën e menaxhimit të kompanisë“, theksoi ai.
Ndërsa, sa i takon çështjes së emërimeve politike në bordet të ndërmarrjeve publike, Bislimi u shpreh se nuk është gabim nëse në krye të këtyre Bordeve vijnë njerëz të ngritur dhe që arijnë ta dëshmojnë vetën.
“Nuk mendoj se është gabim nëse Besnik Bislmi emërohet anëtar bordi në një institucioni për arsye se është makroekonomist, nëse Besnik Bislimi është me shkollë të mesme dhe emërohet në Bord vetëm pse është i një subjekti politik ky është politizimi. Ne nuk i kemi armiq ekspertët, të cilët janë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe nëse ata përmes konkurseve arrijnë të dëshmojnë për një vend pune, ne do të jemi të lumtur”, theksoi ai.
Deputetja Deliu-Kodra u shpreh e shqetësuar edhe për Deklaratën për Personat e Zhdukur të dakorduar në Bruksel në takimin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi.
“Shqetësimi im është edhe Deklarata e dakorduar e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq për personat e pagjetur, përdorimi i tog-fjalëshit të zhdukurit me forcë në vend të personave të zhdukur me dhunë natyrisht që njehëson viktimën dhe xhelatin dhe për ne ka qenë shqetësim”,theksoi ajo.
Lidhur me këtë Deklaratë, zëvendëskryeministriti parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi u shpreh se opozita është i vetmi grupacion që mendon se atje po bëhet njehsimi i xhelatit me viktimën.
“Opozita në Kosovë është i vetmi grupacion që mendon se atje po bëhet njehsimi i xhelatit me viktimën pse po u përdorka termi i personave të zhdukur me forcë, cila shkronjë të fjalisë personat e zhdukur me forcë çon në njësim të xhelatit dhe viktimës”,u shpreh ai.
Gjatë raportimit para Komisionit për Integrime Evropiane, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi u shpreh se për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit gjatë vitit të kaluar prej 235 masave, prej të cilave janë zbatuar 136 masa. E sa i takon ERA 2, Bislimi theksoi se prej 15 prioriteteve në 341 reforma konkrete prej tyre janë arritur të zbatohen 206 reforma.
Me gjashtë vota për, Komisioni për Integrime Evropiane miratoi sot edhe programin Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) 2023-2027 si dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2022.
/TV Malisheva