Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim një ekip nga Banka Evropiane për Investime, ku pjesë e këtij delegacioni ishin kryesuesi i Divizionit për Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, Matteo Rivellini, kreu i njësisë, Guido Clary dhe menaxheri i operimeve të BEI-së për Shqipërinë dhe Kosovën, Konstantinos Mastrogiannopoulos.
Bëhet e ditur se Rivellini theksoi në fillim të takimit bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që Banka Evropiane për Investime ka me shtetin e Kosovës, dhe se bashkëpunimi dhe përkrahja faktohet edhe nga shifrat, ku nga viti 2013 janë dhënë në formë asistence mbi 250 milionë euro.
“Pjesë e këtij delegacioni ishin kryesuesi i Divizionit për Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, Matteo Rivellini, kreu i njësisë, Guido Clary dhe menaxheri i operimeve të BEI-së për Shqipërinë dhe Kosovën, Konstantinos Mastrogiannopoulos. Z. Rivellini theksoi në fillim të takimit bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që Banka Evropiane për Investime ka me shtetin e Kosovës. Ky bashkëpunim dhe përkrahje faktohet edhe nga shifrat, ku nga viti 2013 janë dhënë në formë asistence mbi 250 milionë euro. BEI bashkëpunon në disa struktura dhe sektorë si infrastruktura, sistemi i ujërave, sektori privat si dhe do të shtojë fokusin në të ardhmen e afërt më shumë edhe drejt sektorit të energjisë, me qëllim adresimin e krizës së energjisë dhe dekarbonizimin”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Po ashtu, u përmend se BEI është në proces të hapjes së një zyre të saj edhe në Kosovë, ku një ndër objektivat e tyre të ardhshëm është rritja e angazhimit në Kosovë dhe rajon. Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri Bislimi ofroi mbështetjen e tij dhe theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e përkrah këtë iniciativë.
“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se prioritetet e Qeverisë, ndër të tjerash, janë edhe në rritjen e financimit sa i përket sektorit të energjisë, sistemit të ujërave, menaxhimit të mbeturinave, ndërmarrësisë, rritjen e investimeve, politikat sociale dhe sundimin e ligjit. Më tej, u diskutua edhe për 3 projekte të mëdha sa i përket dixhitalizimit. Palët u pajtuan që do të vijojë bashkëpunimi i afërt e veçanërisht në përshpejtimin e hapjes së zyrës së Bankës Evropiane për Investime në Kosovë si dhe në drejtim të projekteve më të mëdha zhvillimore për Kosovën”, thuhet në njoftim.