Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.

Sipas komunikatës për media, në takim është biseduar për projektet zhvillimore Kosovë-Itali dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona.

“U shpreh mirënjohja për kontributin e forcave italiane në KFOR në shërbim të paqes dhe stabilitetit në vend, si kontingjenti me numrin më të lartë të trupave në mision. Gjithashtu u përshëndet dhe emërimi i Gjeneral Majorit Ristuccia si komandant i KFOR-it”, thuhet në komunikatë.

Duke theksuar potencialin e vendit tonë dhe kapacitetin zhvillimor të sektorëve tërheqës dhe strategjikë për investime, Bislimi ka riafirmuar vullnetin për të vazhduar edhe më tej bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë.

Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin De Riu për vizitën dhe angazhimin për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, si dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka ofruar Kosovës dhe popullit të saj.

Share.